Vala e virusit po përkeqësohet! Shpërthim rastesh në një burg, Koreja e Jugut shënon rekord të ri

Azia

Vala e virusit po përkeqësohet! Shpërthim rastesh në një burg, Koreja e Jugut shënon rekord të ri

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 12:07
Koreja e Jugut shënon rekord të ri

Një rekord i ri Covid-i, me 1,097 raste të reja është regjistruar në Korenë e Jugut, duke përfshirë një shpërthim infektimesh në një burg të Seulit, që preku 185 persona, teksa vala e fundit e virusit në vend po përkeqësohet.

Me infeksione ditore mbi 1.000 njerëz, për të pestën ditë radhazi, disa ekspertë mjekësorë kritikuan qeverinë si të ngadaltë në futjen e rregullave më të rrepta të distancimit shoqëror, shkruan Reuters.

Situata në fjalë ka rritur shqetësimet, ndërsa vendi ka mungesë të shtretërve spitalorë. Totali ditor tejkaloi rekordin e së mërkurës, prej 1,076 rastesh, sipas të dhënave nga Agjencia Koreane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (KDCA).

Nga rastet e reja, 1,072 u transmetuan në vend dhe 25 u importuan, duke e çuar numrin e infeksioneve totale të koronavirusit në 49,665, me 674 vdekje nga COVID-19, që nga e shtuna në mesnatë.

Një burg në Seulin juglindor regjistroi një shpërthim të madh, me 184 të burgosur dhe një punëtor të infektuar, tha një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë.

Ish-presidenti konservator Lee Myung-bak, i cili është në burg pasi u dënua për korrupsion, rezultoi negativ. Veç kësaj, rreth 61 njerëz në një azil në qytetin Cheongju u prekën nga virusi, tha agjencia e lajmeve Yonhap.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat