Kina dënon dhjetë aktivistë të Hong Kongut, të kapur në det

Azia

Kina dënon dhjetë aktivistë të Hong Kongut, të kapur në det

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 17:08
Dhjetë aktivistë të Hong Kongut të arrestuar, 30 dhjetor 2020.

Dhjetë aktivistë të Hong Kongut, të arrestuar në det derisa përpiqeshin të iknin në Tajvan me anije, janë dënuar me burg në Kinë.

Dy të tjerë - nga grupi i të rinjve i quajtur Hong Kong 12 - janë të mitur dhe do të kthehen në Hong Kong.

Aktivistët janë kapur në gusht derisa kanë bërë përpjekje për të ikur nga qyteti, i cili ka miratuar një ligj të ashpër për sigurinë kombëtare, të prezantuar nga Pekini.

Ata janë akuzuar për organizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Dënimet e shqiptuara nga gjykata në qytetin Shenzhen variojnë nga shtatë muaj deri në tre vjet burgim.

Gjykata tha se të 12 të pandehurit janë deklaruar fajtorë për krimet e tyre.

Seanca dëgjimore ka nisur më 28 dhjetor dhe ka qenë e mbyllur për gazetarët dhe diplomatët e huaj.

Familjarët e të pandehurve kanë thënë se ata nuk kanë mundur t’i zgjedhin avokatët e tyre dhe se akuzat janë të motivuara politikisht.

Qindra qytetarë të Hong Kongut kanë kërkuar strehim në Tajvan që nga fundi i vitit të kaluar, për t’i shpëtuar represionit në rritje nga regjimi në Pekin.

Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të kornizës “një shtet, dy sisteme”.

Me këtë kornizë, qyteti i Hong Kongut ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste, por thuhet se Ligji i ri i sigurisë kombëtare tani e dëmton atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat