Prej 12 ditësh të bllokuar për së gjalli 600 m nëntokë, për shpëtimin e tyre mund të duhen 2 javë

Azia

Prej 12 ditësh të bllokuar për së gjalli 600 m nëntokë, për shpëtimin e tyre mund të duhen 2 javë

Më: 22 janar 2021 Në ora: 17:33
Kinë

Ekipet e shpëtimit në Kinë thonë se mund të duhen më shumë se 2 javë përpara se të jenë në gjendje që të shpëtojnë minatorët e bllokuar qindra metra nëntokë. Ata ndodhen aty qëkur një shpërthim i mbylli tunelin hyrës në minierën e arit Hushan, në provincën e Shandong, më 10 Janar. Autoritetet mundën të vendosnin kontakt me 11 prej të shpëtuarve, një javë pas shpërthimit, por që prej asaj kohe një prej tyre ka humbur jetën.

Ekipet e shpëtimit kanë hapur gropa të vogla nëpërmjet të cilave u dërgojnë punëtorëve ushqim dhe ilaçe. Shkaku i shpërthimit që bllokoi hyrjen për në minierë mbetet ende i paqartë.

Fati 11 minatorëve të tjerë të cilët gjithashtu mbetën të bllokuar nga shpërthimi është ende i paqartë, pasi autoritetet nuk kanë mundur të kontaktojnë me ta, ndonëse kanë futur ushqim dhe kanë çuar mesazhe në disa zona të minierës. Grupi i minatorëve që janë gjallë i thanë ekipeve të shpëtimit se kishin pasur kontakt vetëm me një prej minatorëve, që ndodhej rreth 100 metra poshtë tyre, por që prej asaj kohe nuk kishin mundur të kontaktonin sërish.

Image

Sipas asaj që shkruan BBC, aktualisht operacionet e shpëtimit po synojnë që të hapin një vrimë mjaftueshëm të gjerë sa për t’i tërhequr minatorët në sipërfaqe. Por gërmimi po has shumë vështirësi për shkak se toka ka granit të fortë dhe minatorët janë të bllokuar shumë larg sipërfaqes. Tjetër rrezik është fakti se miniera ka ujë dhe dhoma ku ndodhen minatorët mund të përmbytet.

“Pengesat janë thjeshtë shumë të mëdha, që do të thotë se do të na duhen të paktën 15 ditë të tjera për të arritur tek minatorët“, tha një zyrtar lokal.

Hyrja e minierës u dëmtua rëndë e për pasojë komunikimi mes minatorëve dhe botës jashtë u bllokua, nga shpërthimi deri më tani i pashpjegueshëm.

Për një javë, nuk pati asnjë shenjë jete. Të dielën, ekipet e shpëtimit ndjenë se një prej litarëve që kishin futur nëntokë u tërhoq. Punëtorët që ishin gjallë në një letër shpjeguan se ishin ende gjallë. Ata treguan se ishin 12 minatorë, 11 të bllokuar në një vend dhe një i 12-të pak më poshtë. Nga ky moment nuk ka asnjë kontakt me minatorin e 12-të, ndërsa një prej tyre që ishin në grupin prej 11 personave, i cili ndodhej në koma për shkak të një plage që kishte marrë në kokë nga shpërthimi, u konfirmua i vdekur të enjten.

Image

Grupi prej 10 personave, që dihet se janë ende gjallë, ndodhen të bllokuar rreth 600 metra nëntokë. Ata janë në kontakt të vazhdueshëm me ekipet e shpëtimit. Prej tyre 8 janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dy të tjerë kanë probleme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat