Ngacmimet seksuale/ Kamerat në Indi do të identifikojnë fytyrën e grave “të shqetësuara”

Azia

Ngacmimet seksuale/ Kamerat në Indi do të identifikojnë fytyrën e grave “të shqetësuara”

Më: 22 janar 2021 Në ora: 23:52
Indi

Një qytet në veri të Indisë ka prezantuar planet e nisjes së një sistemi të inteligjencës artificiale ne kamerat e sigurise, për pikasjen e fytyrës së grave të stresuara që mund të jenë objekt i ngacmimeve seksuale apo tentativave të përdhunimeve.

Por idea është kontestuar nga ekspertët e të drejtave pasi mund të çojë në shkelje të privatësisë apo politika intruzive ndaj qytetarëve.

Në Lucknow, kryeqyteti i krahinës më të populluar indiane Uttar Pradesh, policia ka identifikuar rreth 200 vende ku ndodhin shpesh ngacmime ndaj grave, në të cilat do të përdoret teknologjia e re, tha kreu i policisë DK Thakur.

“Do të vendosim pesë kamera me inteligjencë artificiale të cilat do të sinjalizojnë stacionin më të afërt të policisë”, tha ai.

“Kamerat do të bëhen aktive menjëherë me pikasjen e shprehjeve të shqetësuara të fytyrës së grave,” tha dje Thakur për gazetarët, pa dhënë më shumë detaje mbi tiparet e caktuara të fytyrës që do të shënjestrohen.

India është një nga vendet me numrin më të lartë të përdhunimeve dhe dhunës ndaj grave, por fenomenet ndodhin kryesisht në zonat rurale dhe nuk dihet sa do të ndihmojë nisma e re e policisë.

Teknologjia e njohjes së fytyrës po aplikohet tashmë në aeroporte, stacione hekurudhore dhe sheshe të populluara në Indi dhe vende të tjera të botës. Sisteme të tilla sa vijnë e modernizohen, në shërbim të mbledhjes së informacionit nga autoritetet, për identifikimin e shkeljeve kriminale.

Por analistë të teknologjisë dhe ekspertë të privatësisë thonë se avantazhet e tyre nuk janë të qarta dhe rritja e mbikqyrjes çon shpesh në shkelje të privatësisë së njerëzve, prej mënyrës së organizimit të dhënave apo të masës së aksesit ndaj tyre.

Anushka Jain, përfaqësuese e grupit OJQ për të drejtat dixhitale Internet Freedom Foundation, shprehu rezerva: “E gjithë idea e kamerave që monitorojnë shprehjet e fytyrës së grave  të shqetësuara, është absurde. Cila është shprehja e një njeriu të shqetësuar apo të stresuar? Unë mund të jem duke folur në telefon me nënën time dhe të zemërohem, të shterembëroj fytyrën. A do të shkaktojë kjo një alarm sa për të dërguar një polic?”

India është një nga vendet më të rrezikshme për gratë, ku një prej tyre përdhunohet çdo 15 minuta, dhe shteti i Uttar Pradesh raportoi numrin më të lartë të krimeve ndaj grave në 2019.

India ka nisur tashmë reforma të rëndësishme ligjore kundër sulmeve ndaj grave që prej përdhunimit e vrasjes barbare të një vajze në 2012, duke forcuar mekanizmat e denoncimit të përdhunimit dhe denimet, edhe pse rezultatet mbeten të ulëta.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat