Vetëm 0.01 për qind e atyre që morën dy dozat dalin pozitivë në testin për Covid-19 në Izrael

Azia

Vetëm 0.01 për qind e atyre që morën dy dozat dalin pozitivë në testin për Covid-19 në Izrael

Më: 26 janar 2021 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Rreth 0.01 për qind e një grupi të madh njerëzish që kanë marrë dy dozat e vaksinës së Pfizer-it kundër koronavirusit në Izrael kanë dalë pozitivë në testin për Covid-19. Personat që dolën pozitivë kanë simptoma të lehta, sipas të dhënave preliminare të sistemit shëndetësor izraelit.

Shërbimi Shëndetësor i Makabit zbuloi se nga rreth 128 mijë persona që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër koronavirusit, vetëm 20 prej tyre dolën pozitivë në test më shumë se një javë pas marrjes së dozës së dytë, shkruan CNN.

Autoritetet nuk i testuan të gjithë pacientët që e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës, por në vend të kësaj testuan një numër të papërcaktuar të njerëzve që patën simptoma ose që kanë qenë të ekspozuar ndaj personave të infektuar.

Në deklaratë thuhet se të dhënat janë preliminare, por shifrat janë shumë inkurajuese. Sipas testimit në njerëz, vaksina e Pfizer-it është rreth 95 për qind efektive.

Nga 20 pacientët që dolën pozitivë pas dozës së dytë, 10 prej tyre vuajnë nga sëmundjet kronike. Sidoqoftë, të gjithë 20 pacientët kanë përjetuar simptoma të lehta, përfshirë kokëdhimbjen, kollitjen dhe plogështinë, ndërsa asnjëri prej tyre nuk është hospitalizuar.

Ndryshe, Izraeli është një ndër shtetet më të suksesshme në fushatën e vaksinimit të popullsisë kundër koronavirusit deri më tani. Nga nëntë milionë banorë, rreth 2.5 milionë tashmë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa rreth 1 milion edhe dozën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat