Irani paralajmëron se marrëveshja bërthamore rrezikohet nëse nuk lehtësohen sanksionet

Azia

Irani paralajmëron se marrëveshja bërthamore rrezikohet nëse nuk lehtësohen sanksionet

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 22:28
Ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif

Ministri i Jashtëm i Iranit paralajmëroi se marrëveshja bërthamore mund të rrezikohej më tej nëse Shtetet e Bashkuara nuk lehtësojnë sanksionet kundër vendit të tij deri më 21 shkurt.

Mohammad Javad Zarif, në një intervistë të botuar të shtunën në gazetën iraniane Hamshahri, tha se legjislacioni i miratuar së fundmi e detyron qeverinë të ashpërsojë pozicionin e saj mbi këtë çështje. Ai gjithashtu vuri në dukje se zgjedhja e mundshme në qershor e një presidenti të linjës së ashpër mund të rrezikojë më tej paktin.

"Nuk ka mbetur shumë kohë për amerikanët, si për shkak të projekt-ligjit të parlamentit, edhe atmosferës zgjedhore që do të pasojë Vitin e Ri iranian", tha zoti Zarif.

Viti i ri persian fillon më 21 mars, tre muaj pasi një parlament i mbizotëruar nga linja e ashpër miratoi legjislacionin që përcakton një afat dy-mujor për lehtësimin e sanksioneve.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja e nënshkruar në 2015 nga Irani dhe disa fuqi të tjera botërore, duke pretenduar se ai nuk arriti të frenonte programin e Iranit për raketat dhe ndikimin e tij në rritje në Lindjen e Mesme.

Irani njoftoi muajin e kaluar se kishte rifilluar pasurimin e uraniumit deri në 20% në fabrikën e tij të pasurimit Fordow, një nivel që e kishte përpara se të arrihej marrëveshja. Zyrtarët iranianë thanë javën e kaluar se kapaciteti i pasurimit u rrit në objektin e saj në Natanz.

Presidenti aktual Joe Biden, i cili ka kritikuar prej kohësh vendimin e zotit Trump për t'u tërhequr nga pakti, është zotuar të bëhet sërish palë e marrëveshjes, nëse Teherani rifillon të respektojë rreptësisht kushtet e saj.

Sipas marrëveshjes, disa sanksione kundër Iranit u hoqën në këmbim të reduktimit të aktiviteteve të tij bërthamore. Irani ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të lehtësojnë sanksionet përpara se të rifillojë respektimin e marrëveshjes.

President Biden nuk ka folur shumë publikisht për Teheranin që kur fitoi presidencën, por disa njoftime të mediave amerikane sugjerojnë se administrata e tij po punon për të trajtuar çështjen e programeve bërthamore dhe ato të raketave të Iranit, si dhe aktivitetet rajonale të Teheranit, për të përcaktuar nëse dhe në ç'mënyrë do të bëhet përsëri pjesë e marrëveshjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat