Pasi vendos nën kontroll mediat vendase, Pekini kthen sytë nga mediat e huaja

Azia

Pasi vendos nën kontroll mediat vendase, Pekini kthen sytë nga mediat e huaja

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 16:14
Gazeta shtetërore kineze Global Times me tituj për zgjedhjet amerikane në stendat në Pekin (3 nëntor 2020)

E ardhmja e raportimit të mediave të huaja në Kinë po vihet në pikëpyetje ndërsa qeveria kineze synon të konsolidojë kontrollin e saj në media.

Pekini së fundmi ndaloi transmetimet e kanalit britanik BBC World News, ndërsa janë tensionuar marrëdhëniet diplomatike të Kinës me disa vende perëndimore.

Kjo masë e Kinës erdhi pasi BBC-ja publikoi një seri rrëfimesh nga gratë e pakicës etnike ujgure, të cilat flisnin për përdhunime, abuzime dhe tortura në të ashtuquajturit kampe të riedukimit në rajonin Xinjiang të Kinës. Pekini e kundërshtoi raportimin si të rremë. Britania gjithashtu kishte hequr licencën e rrjetit televiziv shtetëror të Kinës, CGTN.

Në një deklaratë të raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, rregullatori kinez i transmetimeve, Administrata Kombëtare e Radios dhe Televizionit (NRTA), tha se BBC-ja shkeli rregulloret në raportimet e saj për Kinën dhe se aplikimi i saj për vazhdimin e transmetimeve nuk do të rinovohet.

Hu Xijin, redaktor i mediave të lidhura me shtetin kinez Global Times, shkroi në Twitter se raportet ishin "të gjitha false" dhe se BBC-ja "është bërë një bastion i luftës së opinionit publik perëndimor kundër Kinës".

Tensionet mediatike

Dëbimi dhe bllokimi i mediave të huaja rëndojnë më tej një mjedis raportimi gjithnjë e më të vështirë. Të paktën 17 gazetarë u dëbuan nga Kina në vitin 2020, sipas një deklarate në shtator nga Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Kinës (FCCC).

Disave prej tyre iu hoqën kredencialet mediatike pasi qeveria amerikane i klasifikoi mediat kineze në Amerikë si misione të huaja. Mediat e tjera u urdhëruan të japin të dhëna të hollësishme mbi stafin dhe financat e tyre.

Sari Arho Havren, një analiste për Kinën me seli në Bruksel, tha se Pekini dëshiron të promovojë një "rend të ri mediatik botëror" dhe se me mediat lokale dhe shtetërore të kontrolluara rreptësisht, mediat e huaja janë objektivi i radhës.

"Lajmet që kundërshtojnë linjën zyrtare të Pekinit më pas etiketohen nga makineria e propagandës si lajme të rreme dhe gënjeshtra, dhe ndërkohë qarkullohet me shpejtësi një variant i kundërt", i tha zonja Havren Zërit të Amerikës.

"[Ndalimi i BBC-së] demonstron se si mediat e huaja që veprojnë në Kinë trajtohen gjithnjë e më shumë si media vendase, që do të thotë se raportimi nga Kina që nuk është në përputhje me linjën zyrtare të partisë, do të bëhet gjithnjë e më delikat dhe i rrezikshëm", tha zonja Havren. "Masat e drejtpërdrejta gjithashtu do të rriten, ndërsa Kina do të investojë më shumë në blerjen e mbulimit mediatik miqësor ndaj Kinës jashtë vendit, si dhe në zgjerimin e ndikimit hibrid në mediat e huaja".

Kina në vitet e fundit është përpjekur të përdorë mediat për të inkurajuar investimet dhe për të promovuar një imazh më pozitiv. Kërkimet nga Freedom House tregojnë se Pekini ka zgjeruar operacionet e mediave shtetërore dhe ka paguar për mbulimin në mediat jashtë vendit, ndër metodat e tjera.

Zonja Havren, e cila më parë ka jetuar dhe punuar në Hong Kong dhe Kinë, tha se pavarësisht përpjekjeve transparente për të reformuar peizazhin e medias, Pekini po ia arrin me sukses.

"Media kineze nxit lirisht propagandën e Pekinit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit", tha zonja Havren. "Me gjithë këto burime që Kina po përdor për krijimin e një rendi mediatik miqësor ndaj saj, Kina për mendimin tim po arrin të ndikojë në zhvillimet globale. Edhe pse shpesh ndodh me mefshtësi, por dalëngadalë e shikojmë se ka sukses".

Taktikat e Pekinit të ndëshkimit dhe hakmarrjes kundër mediave që i kundërvihen Kinës "po ushtrohen gjithnjë e më shumë edhe mbi mediat e huaja", tha analistja.

Kur Kina u hakmor kundër BBC-së, Hong Kongu ndoqi me shpejtësi shembullin, me transmetuesin publik Radio Televizionin Hong Kong (RTHK), që njoftoi se do të pezullojë materialet mediatike të marra nga BBC-ja.

Ish-kolonia britanike funksionon sipas marrëveshjes "një vend dy sisteme", pasi iu rikthye Kinës nga Britania në vitin 1997. Por pas protestave anti-qeveritare në 2019, Pekini vendosi një ligj të sigurisë kombëtare për të ulur trazirat.

Që atëherë, Hong Kongu e ka parë veten më të harmonizuar me praktikat në Pekin, duke ngritur shqetësime në radhët e shoqërisë civile mbi të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e shtypit.

Pengesat ndaj mbulimit mediatik

Qëllimi i Kinës për të kufizuar lajmet që mbulojnë çështje të ndjeshme të brendshme, si brenda dhe jashtë vendit, nuk është asgjë e re. Pekini mendon se mediat perëndimore vendosin në objektiv dhe ekzagjerojnë padrejtësisht çështje të brendshme. Pekini shpesh hakmarret duke i etiketuar raportimet si lajme të rreme.

Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit, organizata që vëzhgon mediat, “Gazetarët pa Kufij”, aktualisht e rendit Hong Kongun në vendin e 80-të dhe Kinën në vendin 177 nga 180, ku në vendin e parë radhitet vendi me mjedisin më të lirë.

Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Kinës boton gjithashtu një raport vjetor të kushteve të punës, për vështirësitë për gazetarët ndërkombëtarë brenda vendit dhe sfidat nga qasja e kufizuar.

Një pengesë e tillë është punësimi i shtetasve kinezë si ndihmësa për redaksitë e lajmeve.

Duke patur shpeshherë vetë aspirata për gazetarinë, këta asistentë të lajmeve mund të punësohen si studiues, përkthyes ose producentë, por u ndalohet raportimi i pavarur. Pavarësisht se punojnë drejtpërdrejt me mediat e huaja, asistentët janë të punësuar përmes shtetit kinez. Është pozicioni i vetëm që shtetasit kinezë mund të marrin brenda një redaksie të huaj lajmesh me seli në Kinë.

Por roli i ndihmësit ka tërhequr më shumë vëmendjen e autoriteteve gjatë viteve të fundit. Tashmë, kur ata punësohen ose rinovojnë kontratat e tyre, asistentët duhet të nënshkruajnë një "betim", ku i rikujtohet roli i tyre i kufizuar dhe besnikëria ndaj shtetit.

Janë bërë gjithashtu më të gjata periudhat për të plotësuar një pozicion pune dhe punonjësit e mundshëm po bëhen gjithnjë e më skeptikë për marrjen e vendit të punës, iu tha Zërit të Amerikës.

Një ndihmëse në redaksinë e lajmeve në rrjetin Bloomberg, Haze Fan, u arrestua në Kinë në muajin dhjetor, nën dyshimin se rrezikonte sigurinë kombëtare. Zonja Fan, e cila është ende në paraburgim, më parë ka punuar si asistente për kanalet e lajmeve në Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera edhe në kanalet CNBC dhe CBS News.

Një korrespondent i huaj në Pekin, i cili kërkoi të mbetet anonim nga frika e hakmarrjes, tha se vendasit po bëhen gjithashtu më të kujdesshëm për të folur me cilindo që etiketohet si media e huaj.

“Gjithnjë e më pak njerëz duan të flasin me ne. Ata gjithmonë kanë frikë. Nëntë në çdo dhjetë intervista të rezervuara paraprakisht, anulohen në minutën e fundit”, tha korrespondenti, i cili ka mbuluar Kinën për më shumë se dy vjet.

Raportet për mbikëqyrje të ngushtë dhe ngacmime nuk janë të pazakonta. Gazetari i tha Zërit të Amerikës se ata besonin se autoritetet kineze kishin hyrë fshehurazi në rezidencën e tyre të atjeshme.

“Dikush kishte qenë në shtëpinë time. Dritarja ishte e hapur dhe dera e garderobës ishte e hapur. Pra, ata qartazi donin që unë ta dija se kishin qenë aty. Kështu e interpretova unë”, tha gazetari.

Gazetari shtoi se kishin dëgjuar gazetarë të tjerë të flasin për incidente të ngjashme, por duke thënë se "jetojmë këtu dhe duhet të durojmë kushtet [e Pekinit]".

Pavarësisht rreziqeve, gazetari thotë se raportimi për Kinën është më i rëndësishëm se kurrë, duke shtuar se, "këtu gjendet historia interesante"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat