Nderohen gratë e guximshme

Azia

Nderohen gratë e guximshme

Më: 9 mars 2021 Në ora: 19:30
Phyoe Phyoe Aung

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas vlerësohen arritjet e grave dhe diskutohen çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e grave në botë. Me këtë rast, të hënën Departamenti amerikan i Shtetit shpalli mimin Ndërkombëtar të Grave të Guximshme. Zëri i Amerikës bisedoi me një grua që u nderua me këtë çmim.

Në qytete si Parisi, Madridi dhe vende tjera të botës, njerëzit u mblodhën në rrugë ose në tubime virtuale për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në Mumbai disa gra e shënuan ditën me motoçikletat e tyre duke thënë se ngjarja shërben për të rikujtuar se gratë nuk duhen nënvlerësuar.

Por kremtimet e këtij viti vijnë ndërsa vende si Mianmari janë mes trazirash. Sipas OKB më shumë se 50 njerëz kishin humbur jetën deri të hënën nga dhuna e ushtruar pas grushtshtetit dhe arrestimit të udhëheqëses së Mianmarit Aung San Suu Kyi.

Phyoe Phyoe Aung është bashkëthemeluese e Institutit për Pajtim Wings, një organizatë që synon afrimin e të rinjëve që vijnë nga kultura dhe besime të ndryshme fetare. Asaj iu nda Çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme ndërsa konsiderohet si një udhëheqëse në rritje në Mianmar.

“Është kohë e ndryshimeve të mëdha në vendin tim. Ka gra udhëheqëse nga të gjitha shtresat e jetës që me guxim iu bashkuan lëvizjes kundër grushtit të shtetit. Nuk ndihem rehat dhe jam e pikëlluar që pranoj këtë çmim në këtë kohë të vështirë. Edhe pse nuk e meritoj këtë çmim në krahasim me ato që sakrifikuan më shumë, unë po e pranoj atë në emër të të gjitha grave të guximshme që luftojnë për demokraci dhe liri në vendin tonë“, tha ajo për Zërin e Amerikës.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, foli të hënën në ceremoninë e Departamentit të Shtetit.

“Këto gra bënë zgjedhjen e jashtëzakonshme për të këmbëngulur. Të kërkojnë drejtësi. Të besosh se pavarësisht pengesave dhe frikës me të cilën përballesh, ekziston e ardhmja për të cilën duhet të luftosh”, tha ajo.

Presidenti Joe Biden e shënoi ditën duke nënshkruar dy urdhëra ekzekutivë. Njëri themelon Këshillit e Politikave Gjinore ndërsa tjetri synon ndaljen e dhunës seksuale në kampuset e kolegjeve.

E hëna shënon vitin e 15-të të ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar të Grave të Guximshme të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat