Presidenti Iranian: Pasurimi në nivele të larta i uraniumit, përgjigje ndaj sulmit mbi impiantin bërthamor

Azia

Presidenti Iranian: Pasurimi në nivele të larta i uraniumit, përgjigje ndaj sulmit mbi impiantin bërthamor

Më: 14 prill 2021 Në ora: 14:51
Hassan Rouhani

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të mërkurën se vendimi i Iranit për të pasuruar uranium deri në 60 për qind pastërti vjen si përgjigje ndaj aktit sabotues që dëmtoi impiantin bërthamor të vendit në Natanz.

Duke folur në një takim me anëtarët e kabinetit, zoti Rouhani e quajti vendimin "përgjigje ndaj ligësisë". Irani ka pasuruar më parë uranium në nivelet 20% pastërti.

Zoti Rouhani tha gjithashtu se krahas niveleve më të larta të pasurimit të uraniumit, do të zëvendësohen edhe centrifugat e gjeneratës së parë IR-1, të cilat u dëmtuan gjatë sulmit, me centrifuga më të përparuara IR-6.

Sipas kushteve të një marrëveshjeje të vitit 2015 mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Tehenani ishte i kufizuar në nivelet e pasurimit të uraniumit deri në masën 3.67% pastërti, kjo për të shmangur shqetësimet lidhur me prodhimin e armëve bërthamore. Për prodhimin e një të tille, uraniumi duhet të pasurohet në rreth 90% pastërti.

Njoftimet e fundit vijnë disa ditë pas sulmit që ndërpreu furnizimin me energji elektrike në centralin e rëndësishëm bërthamor në Natanz. Teherani ka fajësuar Izraelin dhe e ka cilësuar incidentin akt “terrorizmi”.

Izraeli, i cili nuk ka marrë përgjegjësi për aktin, e kundërshton me forcë përpjekjen e administratës Biden për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Izraeli e konsideron programin bërthamor të Iranit një kërcënim ekzistencial dhe është betuar të mos lejojë që Teherani të prodhojë një bombë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se qëndrojnë krah Izraelit, por mbeten të angazhuara ndaj bisedimeve me Iranin, pavarësisht planit të pasurimit.

"Pa diskutim këto njoftime provokuese na shqetësojnë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Ne besojmë se rruga diplomatike është e vetmja rrugë përpara dhe se diskutimet, qofshin edhe jo të drejtpërdrejta janë mënyra më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje”.

Irani ka thënë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile, të tilla si energjia elektrike dhe ilaçet.

Qeveria e zotit Rouhani nuk po zbaton shumë prej kushteve që parashikon marrëveshja, duke rritur nivelin e pasurimit të uranimit dhe sasinë e lejuar për t’u magazinuar. Këto veprime pasuan tërheqjen e SHBA nga marrëveshja dhe vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Teheranit në vitin 2018./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat