Ambasadori kinez mund të ketë qenë shënjestra e shpërthimit në Pakistan

Azia

Ambasadori kinez mund të ketë qenë shënjestra e shpërthimit në Pakistan

Më: 22 prill 2021 Në ora: 09:10
Vendi i shpërthimit afër një hoteli luksoz në Pakistan më 21 prill 2021

Të paktën pesë persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një bombe në zonën e parkimit të një hoteli luksoz në qytetin jugperëndimor të Kuetas në Pakistan. Disa prej të plagosurve janë në gjendje kritike.

Grupi Tehrik-e Taliban (TTP), i njohur si talibanët pakistanezë, mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se përmes tij u shënjestruan zyrtarët.

Ministri i brendshëm i Pakistanit, Sheik Rashid Ahmed, i tha AFP-së se sulmi ishte “një akt terrorizmi”.

Një delegacion kinez prej rreth katër personash i udhëhequr nga ambasadori ishte duke qëndruar në hotel.

"Ambasadori ishte jashtë për një takim kur ndodhi shpërthimi", shtoi ai.

Zyrtarët kinezë nuk komentuan menjëherë për incidentin.

Kueta është kryeqyteti i Provincës Baloçistan, e cila është e pasur me burime natyrore. Provinca kufizohet me Afganistanin dhe Iranin.

Rajoni është rrënuar nga dhuna sektare, sulmet nga militantët islamikë dhe një kryengritje separatiste që ka shkaktuar mijëra viktima që nga viti 2004.

Pakënaqësia atje është rritur pasi investimet kineze në kuadër të projektit 60 miliardë dollarësh të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan nuk u ofruan atyre shumë përfitime.

Në qershor, kryengritësit shënjestruan Bursën e Pakistanit, e cila është pjesërisht në pronësi të kompanive kineze. Sulmin e mori përsipër Ushtria Çlirimtare e Baloçistanit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat