Afganistan, shtohet dhuna në prag të tërheqjes së trupave të huaja

Azia

Afganistan, shtohet dhuna në prag të tërheqjes së trupave të huaja

Më: 29 prill 2021 Në ora: 21:44
Afganistan

Më shumë se 100 ushtarë afganë janë vrarë gjatë dy javëve të fundit në klimën e një shtimi të sulmeve talebane pas njoftimit të Uashingtonit se do të tërheqë të gjitha trupat amerikane deri më 11shtator, thanë zyrtarët të enjten.

Zyrtarë të lartë afganë thonë se talibanët po bëjnë një demonstrim force dhe po përpiqen të fitojnë territor tani që forcat e huaja po tërhiqen. Talibanët po zhvilljnë një kryengritje prej dy dekadash që kur u rrëzuan nga pushteti nga trupat e huaja të udhëhequra nga SHBA në vitin 2001.

Sipas dy zyrtarëve të lartë të sigurisë, rreth 120 efektivë të forcave afgane të sigurisë, 65 civilë dhe mbi 300 luftëtarë talebanë janë vrarë në 15 ditët e fundit të luftimeve dhe shumë të tjerë janë plagosur në të gjithë vendin.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se talibanët kanë kryer të paktën gjashtë sulme vetëvrasëse dhe disa vrasje të shënjestruara si dhe kanë aktivizuar 65 bomba buzë rrugës që synonin trupat qeveritare.

Ai shtoi se më shumë se 60 civilë janë vrarë dhe 180 janë plagosur, por nuk dha shifra për viktimat mes forcave të sigurisë, në përputhje me praktikën e zakonshme të qeverisë.

Dhjetëra luftëtarë talebanë, përfshirë disa komandantë, janë vrarë gjatë operacioneve, tha ai.

Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid hodhi poshtë pretendimin e qeverisë që grupi ka shkaktuar viktima civile, duke thënë se këto ishin pasojë e operacioneve ajrore dhe tokësore të trupave afgane. Ai nuk bëri komente për vdekjet mes talibanëve ose forcave të sigurisë.

Presidenti Joe Biden njoftoi në fillim të këtij muaji se Shtetet e Bashkuara do të fillonin tërheqjen ushtarake më 1 maj, duke e përfunduar deri në 11 shtator. Trupat e huaja nën komandën e NATO-s gjithashtu kanë rënë dakord të tërhiqen.

Që nga njoftimi, dhuna është rritur me gati një të katërtën në të gjithë vendin, me sulme talebane të raportuara në 21 nga 34 provinca, tha një zëdhënës i Ministrisë afgane të Mbrojtjes./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat