Mbi 20 milionë persona të infektuar me koronavirus në Indi

Azia

Mbi 20 milionë persona të infektuar me koronavirus në Indi

Më: 4 maj 2021 Në ora: 13:50
Një paciente me koronavirus trajtohet në një spital në Delhi të Indisë. 1 maj, 2021.

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Indi ka kaluar shifrën 20 milionë, pavarësisht pse qeveria në këtë shtet ka thënë se shkalla e infektimit është duke u ulur.

India ka thënë se numri i infektimeve ka rënë vazhdimisht nga 30 prilli, ndonëse së fundmi janë regjistruar më shumë se 400,000 të infektuar në ditë.

Të martën ky shtet ka raportuar për 355,832 raste të reja.

Ekspertët kanë thënë se numri i vdekjeve dhe i të infektuarve nuk është duke u numëruar si duhet.

Në kryeqytetin Delhi, njerëzit me shumë vështirësi kanë qasje në kujdes shëndetësor.

Ky qytet ka raportuar se 448 persona kanë vdekur të hënën – një tjetër shifër rekorde në periudhë 24 orëshe.

Lufta për oksigjen

Qeveria e Delhit ka thënë se dëshiron që ushtria të menaxhojë departamentet ku trajtohen të sëmurët me koronavirus, ashtu sikurse dhomat e kujdesit intensiv.

Shefi i ministrave në Delhi Arvind Kejriwal ka thënë vazhdimisht se qyteti nuk është duke marrë mjaftueshëm oksigjen nga qeveria federale, e cila ka kuotë për ndarje të oksigjenit për secilin shtet.

Mirëpo zyrtarët federalë mohojnë këto deklarata, duke thënë se sfidë përbën transporti.

India prodhon mijëra tonë të oksigjenit në ditë, mirëpo disa ekspertë besojnë se mungesa e tij vjen si pasojë e mungesës së investimit në rrjetin e shpërndarjes.

Spitalet në Delhi kanë nisur të dërgojnë mesazhe ndihme edhe nëpër rrjetet sociale, me qëllim të sigurimit të pajisjeve që u duhen.

Për banorët, pritjet me orë të tëra për të marrë oksigjen tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Zyrtarëve po ashtu u është bërë thirrje që të krijojnë më shumë hapësira për krematoriume, pasi morgjet dhe krematoriumet janë të mbingarkuara tashmë.

Fushata e ngadalshme e vaksinimit ka thelluar po ashtu krizën.

Pavarësisht pse India është prodhuesja më e madhe e vaksinave, ende ka mungesë të dozave për banorët e vet.

Prej muajit janar, vetëm 10 për qind e popullsisë indiane prej 1.4 miliard banorëve kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa rreth 2 për qind të dyja dozat.

Shefi ekzekutiv i Institutit Serum të Indisë - prodhuesit më të madh të vaksinave në botë - ka paralajmëruar se mungesa e vaksinave do të zgjasë me muaj.

Adar Poonawalla ka thënë për Financial Times se instituti, padrejtësisht është trajtuar keq për shkak të mungesave të vaksinave.

Ulja e numrit të të infektuarve?

Pavarësisht situatës së rëndë, zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se Delhi është në mesin e rajoneve që po tregon shenja të uljes së hovit të pandemisë.

Të dhënat e publikuara nga qeveria kanë treguar se numri i rasteve është duke u ulur edhe në rajonin Maharashtra, ashtu sikurse në rajonet veriore në Punjab dhe Uttar Pradesh.

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Lav Agarwal ka thënë se “kjo arritje” është shumë e hershme dhe duhet të jetë e vazhdueshme përmes “masave kufizuese në distrikte dhe nivel shtetëror”.

Ekspertët kanë përmendur vazhdimisht mungesën e testimeve dhe vdekjet e pacientëve nëpër shtëpi pa u parë nga sytë e mjektëve, andaj mendojnë se shkalla e infektimit dhe vdekjeve është shumë më e lartë sesa po raportohet.

Të dhënat nga krematoriumet po ashtu kanë dhënë shenja se numri i vdekjeve zyrtare mund të mos jetë i saktë.

Kritikët besojnë se rajoni i Uttar Pradesh në veçanti është duke kryer shumë pak teste./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat