Përfundon armëpushimi për Bajram, ISIS-i merr përsipër sulmin në xhami me 12 të vrarë

Azia

Përfundon armëpushimi për Bajram, ISIS-i merr përsipër sulmin në xhami me 12 të vrarë

Më: 16 maj 2021 Në ora: 13:39
Foto ilustrim

Talibanët dhe militantët ekstremistë të ISIS-it rifilluan në fundjavë ofensivën në Afganistan, pasi kishin rënë dakord për tri ditë armëpushim me forcat afgane. Vëzhguesit thonë se qeveria mund të mos i përballojë dot e vetme sulmet tani që po largohen edhe trupat ndërkombëtare.

Kanë rinisur luftimet në Afganistan, tri ditë pas armëpushimit me rastin e Fitër Bajramit.

Militantët e Shtetit Islamik morën përsipër sulmin në një xhami të kryeqytetit, që la 12 të vrarë. 

Luftëtarët e ISIS-it thanë se kishin vendosur një mjet shpërthyes brenda xhamisë në periferi të Kabulit, të cilin e aktivizuan kur besimtarët kishin mbërritur për lutjet e së premtes.

Gjatë fundjavës nga militantët u bombarduan edhe disa stacione të furnizimit me energji.

Ndërkohë talibanët intensifikuan nga ana e tyre ofensivën ndaj ushtrisë afgane.

Luftimet mes dy palëve janë bërë më të shpeshta që kur Shtetet e Bashkuara nisën të tërheqin trupat e tyre më 1 maj, pas 20 vitesh.

Shpërthimet jashtë një shkolle vajzash në Kabul vranë ditë më parë më shumë se 50 njerëz dhe plagosën shumë studentë të tjerë.

Zëdhënësi politik i Talibanit tha se ekipi i tyre dhe ai i qeverisë afgane u takuan shkurtimisht të shtunën në Katar ku u zotuan t'i japin një fund paqësor luftës nëpërmjet bisedimeve të reja.

Deri më 11 shtator pritet të tërhiqen të gjitha trupat amerikane, ashtu si edhe forcat e tjera të NATO-s, të pranishme në Afganistan. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat