Aung San Suu Kyi del për herë të parë fizikisht para gjykatës

Azia

Aung San Suu Kyi del për herë të parë fizikisht para gjykatës

Më: 24 maj 2021 Në ora: 11:27
Liderja e rrëzuar nga pushteti në Mianmar, Aung San Suu Kyi

Aung San Suu Kyi, liderja e rrëzuar nga pushteti në Mianmar, shtet i njohur edhe si Birmani, është paraqitur për herë të parë fizikisht në gjykatë, prej puçit të 1 shkurtit, kanë thënë avokatët e saj për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ajo është dukur mirë me shëndet dhe ka pasur takim ballë për ballë me ekipin e saj ligjor për gati 30 minuta para seancës, ka thënë avokati Thae Maung Maung.

Suu Kyi, 75-vjeçare, që ka fituar Çmimin Nobel për Paqe më 1991 për përpjekjet e saja për krijim të demokracisë, është në mesin e 4,000 personave të ndaluar prej puçit.

Ajo përballet me akuza për posedim të paligjshëm të radio-lidhjeve dhe shkeljes së ligjit për sekrete shtetërore.

Liderja e rrëzuar nga pushteti “u ka uruar njerëzve shëndet të mirë” gjatë takimit të saj me avokatët si dhe ka bërë një referencë për partinë Liga Kombëtare për Demokracinë, e cila mund të shpërbëhet shpejt.

“Ajo ka thënë se partia është krijuar për njerëzit, andaj ajo do të zgjasë sa të ketë njerëz”, Thae Maung Maung ka treguar për Reuters.

Mediat kanë raportuar të premten se ushtria e Mianmarit do të emërojë një komision zgjedhor që do të shpërbëjë partinë e Suu Kyi-së për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet e nëntorit.

Ushtria ka fituar pushtetin pas pretendimeve se në zgjedhjet e muajit nëntor, të cilat i ka fituar Suu Kyi, janë kryer mashtrime zgjedhore.

Këto akuza janë hedhur poshtë nga komisioni paraprak zgjedhor.

Mianmari është përfshirë në kaos prej kur ushtria ka marrë pushtetin, meqë aty është raportuar në baza ditore për protesta, marshe, dhe greva kombëtare kundër ushtrisë, e cila është përgjigjur me forcë vdekjeprurëse.

Sipas grupit aktivist Asociacioni për të Burgosurit Politikë, si pasojë e dhunës ushtarake janë vrarë më shumë se 800 persona.

Kreu ushtarak Min Aung Hlaing ka thënë gjatë një interviste më 20 maj se numri i viktimave është rreth 300 dhe në mesin e tyre janë edhe 47 zyrtarë policorë të vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat