Armenia shpall armëpushim me Azerbajxhanin pas dhunës vdekjeprurëse

Azia

Armenia shpall armëpushim me Azerbajxhanin pas dhunës vdekjeprurëse

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 10:00
Paqeruajtësit rusë janë vendosur përgjatë kufirit Armeni-Azerbajxhan që nga armëpushimi i vitit të kaluar

Armenia tha se, me ndërmjetësimin e Rusisë, ka arritur marrëveshje armëpushimi me Azerbajxhanin. Dy vendet u përfshinë në përleshje vdekjeprurëse gjatë ditës së martë, përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.

“Nën ndërmjetësimin e palës ruse, është arritur marrëveshje për armëpushim në kufirin lindor të Armenisë. Situata është stabilizuar relativisht”, tha Ministria armene e Mbrojtjes.

Sipas saj, së paku një ushtar armen u vra në përleshje, por, sipas raporteve të mëhershme, numri i armenëve të vrarë ishte 15.

Ministria tha se 13 ushtarë armenë janë zënë robër nga forcat azerbajxhanase dhe se 24 të tjerë janë zhdukur.

Përplasjet vdekjeprurëse përgjatë kufirit filluan rreth një vit pas arritjes së një armëpushimi tjetër, që ndaloi një luftë intensive për kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut.

Azerbajxhani nuk e komentoi publikisht armëpushimin e ri, por tha se shtatë ushtarë të tij janë vrarë në luftime dhe dhjetë janë plagosur.

Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi tha se forcat e saj kanë parandaluar “provokimet në shkallë të gjerë” të forcave armene, në rrethet Kallbaçar dhe Laçin, në kufi me Armeninë.

Sipas saj, dy ushtarë azerbajxhanas u plagosën, pasi njësitë ushtarake armene përdorën mortaja dhe artileri kundër pozicionit të Azerbajxhanit në kufi.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se ushtarët azerbajxhanas kanë qëlluar në pozicionet e saj përgjatë kufirit, duke përdorur artileri, automjete të blinduara dhe armë.

Ministria po ashtu tha se dy “pozicione luftarake” armene janë humbur.

Sipas saj, edhe forcat e Azerbajxhanit kanë humbur “një numër të konsiderueshëm të automjeteve të blinduara dhe të trupave”.

Sipas ministrisë, 12 ushtarë armenë u kapën nga forcat azerbajxhanase. Situata e tyre mbeti e paqartë edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Armëpushimi u shpall menjëherë pasi Kremlini tha përmes një deklarate se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinian, diskutuan për situatën gjatë një bisede telefonike, më 16 nëntor.

Sipas agjencive ruse të lajmeve, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, zhvilloi gjithashtu telefonata me homologun e tij armen dhe atë azerbajxhanas dhe u bëri thirrje atyre që t’i ndalojnë aktivitetet që provokojnë përshkallëzim.

Situata përgjatë kufirit Armeni-Azerbajxhan ka qenë e tensionuar qëkur dy shtetet kanë luftuar një luftë 44-ditëshe mbi rajonin e Nagorno Karabakut.

Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6,000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.

Të martën, edhe Bashkimi Evropian u bëri thirrje palëve që të tregojnë përmbajtje.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e përshkroi situatën në rajon si “sfiduese”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat