Talibanët i bëjnë thirrje Kongresit Amerikan t’i lirojë asetet e ngrira afgane

Azia

Talibanët i bëjnë thirrje Kongresit Amerikan t’i lirojë asetet e ngrira afgane

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 16:02
Amir Khan Muttaqi

Talibanët u kanë bërë thirrje anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të veprojnë për të liruar asetet afgane të ngrira pas marrjes së vendit në gusht.

Në një letër të hapur të mërkurën, ministri i Jashtëm taliban, Amir Khan Muttaqi, tha: “Sfida më e madhe me të cilën përballet Afganistani ishte pasiguria financiare dhe rrënjët e këtij shqetësimi çojnë në ngrirjen e aseteve të popullit tonë nga qeveria amerikane”.

“Unë kërkoj … që dyert për marrëdhëniet e ardhshme të hapen, asetet e Bankës Qendrore të Afganistanit të shkrihen dhe sanksionet ndaj bankave tona të hiqen,” shkroi ai, ndërsa paralajmëroi se trazirat ekonomike në vend mund të çojnë në telashe jashtë vendit, duke nxitur migrimin masiv që do të krijojë rrjedhimisht çështje të mëtejshme humanitare dhe ekonomike.

Uashingtoni ka sekuestruar rreth 9.5 miliardë dollarë në asete që i përkasin bankës qendrore afgane që kur talibanët morën pushtetin. Në tetor, Zëvendës Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Wally Adeyemo, i tha një komiteti të Senatit të ShBA-së se nuk shihte asnjë situatë ku talibanët do të lejoheshin të hynin në rezervat e bankës qendrore afgane, shkruan Aljazeera.

Ndërsa vendet e interesuara kanë premtuar qindra miliona dollarë ndihmë, shumë prej tyre hezitojnë të japin fonde nëse talibanët nuk bien dakord për një qeveri më gjithëpërfshirëse dhe për të garantuar të drejtat e grave dhe pakicave.

“Unë ju paraqes komplimentet tona dhe dëshiroj të ndaj disa mendime për marrëdhëniet tona dypalëshe”, shkroi Muttaqi, duke vënë në dukje se viti 2021 ishte njëqindvjetori i njohjes së pavarësisë së Afganistanit nga Uashingtoni.

Në letër, Muttaqi argumentoi se Afganistani po gëzonte një qeveri të qëndrueshme për herë të parë në më shumë se 40 vjet, një periudhë që filloi me një pushtim nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1979 dhe përfundoi me tërheqjen e trupave të fundit amerikane më 31 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat