Irani kërkon që bisedimet në Vjenë të fokusohen në heqjen e sanksioneve

Azia

Irani kërkon që bisedimet në Vjenë të fokusohen në heqjen e sanksioneve

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 21:44
Rundi i bisedimeve për marrëveshjen bërthamore i mbajtur në Vjenë më 17 dhjetor 2021.

Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të arritur ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore, rinisën në Vjenë më 27 dhjetor. Teherani ka thënë se bisedimet duhet të fokusohen në heqjen e sanksioneve ndaj Republikës Islamike dhe në “garancitë” se Uashingtoni do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje.

“Rundi i tetë i bisedimeve sapo ka nisur”, tha Alain Matton, zëdhënës i Bashkimit Evropian, që ndërmjetëson këto bisedime.

Rundi i shtatë i bisedimeve përfundoi më 17 dhjetor pasi Irani shtoi disa kërkesa të reja.

Para nisjes së bisedimeve në Vjenë, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian tha se në agjendë të bisedimeve duhet të jetë “çështja e garancive dhe verifikimit” të heqjes së sanksioneve amerikane, nëse Uashingtoni rikthehet në marrëveshjen bërthamore.

“Çështja më e rëndësishme për ne është të arrijmë në një pikë, ku fillimisht nafta iraniane të mund të shitet me lehtësi, pa pengesa”, citohet të ketë thënë Amir-Abdollahian.

Diplomatët nga palët që janë ende pjesë e marrëveshjes, Kina, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia – janë duke marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve në mënyrë indirekte, pasi janë larguar nga marrëveshja më 2018.

Marrëveshja e arritur më 2015 kishte për qëllim kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump tërhoqi shtetin e tij nga marrëveshje dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.

Menjëherë pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, Irani gradualisht ka filluar të shkelë pikat e marrëveshjes dhe të pasurojë uraniumin përtej niveleve të lejuara./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat