Izraeli i sheh si “obligim moral” përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë

Azia

Izraeli i sheh si “obligim moral” përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë

Më: 6 mars 2022 Në ora: 15:26
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett.

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, tha të dielën se shteti i tij e ka për “obligim moral” që të ndihmojë në ndalimin e luftimeve në Ukrainë edhe nëse shanset për sukses nuk “janë të mëdha”.

Këto komente ai i bëri një ditë pasi qëndroi në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

Pas një takimi treorësh me Putinin, Bennett shkoi në Gjermani dhe u takua me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Pas kërkesës së Kievit për të ndihmuar në nisjen e një dialogu me Moskën, Bennett po ashtu në 24 orët e fundit ka zhvilluar tri bisedime telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Duke folur pas mbledhjes së Qeverisë izraelite, Bennett tha se ai nuk mund të tregonte detaje të këtyre bisedimeve, por tha se Izraeli do të vazhdojë përpjekjet diplomatike “sipas nevojës”.

“Edhe nëse shanset nuk janë të mëdha – sapo të ketë një hapje të vogël dhe ne të kemi qasje në të gjitha anët – unë këtë e shoh si obligimin tonë moral që të bëjmë çdo përpjekje”, tha ai.

Bennett deri më tani nuk e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, pasi ka argumentuar se Izraeli ka raporte të forta edhe me Ukrainën dhe me Rusinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat