“Frika për Luftën e Tretë po afrohet”, The Sun: Kina provon “fundosjen e aeroplanmbajtëseve” amerikane në Tajvan

Azia

“Frika për Luftën e Tretë po afrohet”, The Sun: Kina provon “fundosjen e aeroplanmbajtëseve” amerikane në Tajvan

Më: 6 gusht 2022 Në ora: 16:18
Ilustrim

Kina “u mburr” sot se ka provuar fundosjen e aeroplanmbajtëseve amerikane duke përdorur raketa hipersonike. Lëvizja e fundit vjen si pjesë e stërvitjeve masive luftarake mes tensioneve të ndezura mbi Tajvanin.

Mediat e kontrolluara nga Pekini mburreshin se lëshimet e fundit të raketave kishin për qëllim goditjen e çdo “aeroplanmbajtëse të huaj” që mund të ndërhynte në një “operacion ribashkimi.”

Kina u zemërua pasi politikania e lartë amerikane, Nancy Pelosi, e treta në radhë për presidencën, vizitoi ishullin autonom në fillim të kësaj jave. Vizita e Pelosit u cilësua nga Pekini si një provokim.

Regjimi i Xi Jinping e sheh çdo angazhim midis Uashingtonit dhe Taipeit si një miratim të SHBA -së për pavarësinë e Tajvanit.

Por një Kinë gjithnjë e më luftarake pretendon se ishulli i përket atyre dhe është zotuar të rimarrë Tajvanin deri në vitin 2050.

Anijet luftarake, avionët luftarakë dhe raketat janë zhvendosur të gjitha drejt ishullit për stërvitjet masive kineze, të cilat në fakt bllokuan Tajvanin.

Mediat shtetërore të Pekinit mburren se stërvitjet treguan se si Kina mund të sulmonte ishullin duke lëshuar fillimisht një valë sulmesh raketash përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Më pas u mburrën se si forcat komuniste mund të godisnin gjithashtu çdo aeroplanmbajtëse “të huaj” që mund të përpiqet të ndërhyjë.

Raketat hipersonike të tilla si DF-17 mund të përdoren, pretendoi ajo, për të goditur “objektivat lëvizëse në det.”
“Anija e huaj” të cilës i referohet media kineze është aeroplanmbajtësja amerikane USS Ronald Reagan dhe grupi i saj sulmues të cilat vetëm disa ditë më parë vepronin në Detin Filipine.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Regani “do të qëndrojë në stacion në zonën e përgjithshme për të monitoruar situatën”.

“Ne nuk do të pengohemi të veprojmë në detet dhe qiejt e Paqësorit Perëndimor në përputhje me ligjin ndërkombëtar, siç kemi bërë për dekada, duke mbështetur Tajvanin dhe duke mbrojtur një

Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur,” tha zëdhënësi John Kirby.

Stërvitjet pritet të zgjasin deri nesër ndërsa tensionet vazhdojnë të ziejnë mes Kinës dhe SHBA-së, raporton abcnews.al.

Uashingtoni gjithmonë ka ndjekur një politikë të të ashtuquajturës “paqartësi strategjike” që synon të mos provokojë Pekinin dhe ka thënë se mbështet idenë e “Një Kinë”.

Frika e luftës

Por kohët e fundit, presidenti Joe Biden theu konventën dhe u përgjigj “po” kur u pyet nëse SHBA do t’i vinte në ndihmë Tajvanit nëse ishulli sulmohej nga Kina. Pelosi është një mbështetëse e zëshme e Tajvanit dhe udhëtimi i saj në ishull në fillim të kësaj jave e bëri atë politikanen më të lartë amerikane që vizitoi Tajvanin në një çerek shekulli, gjë që zemëroi Kinën.

Gjatë udhëtimit të saj, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve shprehu mbështetjen e Amerikës për Tajvanin.

Partia Komuniste ndërpreu dje kontaktet me zyrtarët amrikanë për një numër temash kyçe, ndërsa shumë vende dënuan stërvitjet ushtarake të Kinës rreth Tajvanit.

Është paralajmëruar se Pekini mund të nisë një seri sulmesh të stilit Pearl Harbor mbi forcat amerikane në Paqësor nëse vendos të ecë përpara me “ribashkimin me forcë.”

Oriana Skylar Mastro, një bashkëpunëtore në Universitetin e Stanfordit, i tha The Sun Online se si Pekini tani beson se duhet të luftojë edhe SHBA-në nëse dëshiron të përmbushë qëllimin e saj.

Operacionet kineze në agimin e luftës do të tentonin të rrëzonin forcat amerikane në mënyrë që ata të mos mund të reagonin për të ndaluar Kinën që të fitonte terren në Tajvan.

“Ka të bëjë me goditjen e fortë dhe herët në ishull përpara se Shtetet e Bashkuara të mund të nisin një përgjigje,” tha Mastro për The Sun Online.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat