Iran: 22-vjeçarja rrahet për vdekje nga policia, pasi nuk e vuri shaminë siç duhet

Azia

Iran: 22-vjeçarja rrahet për vdekje nga policia, pasi nuk e vuri shaminë siç duhet

Më: 17 shtator 2022 Në ora: 13:28
Mahsa Amini

Një vajzë 22-vjeçare ka vdekur në një spital iranian, disa ditë pasi u ndalua nga policia e regjimit, për dyshimin se nuk respektoi rregullat e vendit për shaminë.

Mahsa Amini po udhëtonte me familjen e saj nga provinca perëndimore e Iranit, Kurdistan, për në kryeqytetin Teheran, për të vizituar të afërmit e saj, kur u raportua se ajo u arrestua për dështimin në përmbushjen e rregullave strikte të vendit për veshjen e grave.

Dëshmitarët raportuan se Mahsa ishte rrahur në furgonin e policisë, një pretendim që policia e mohoi.

Lajmi vjen disa javë pasi presidenti i vijës së ashpër të Iranit, Ebrahim Raisi, urdhëroi respektimin minimal të mundshëm e të drejtave të grave dhe bëri thirrje për zbatim më të rreptë të kodit të veshjes së detyrueshme të vendit, i cili u kërkon të gjitha grave të mbajnë mbulesë të kokës që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

Familja e Mahsas u njoftua se ajo ishte dërguar në spital disa orë pas arrestimit.

Sipas Hrana, një organizatë iraniane për të drejtat e njeriut, familjes së Amini iu tha gjatë arrestimit se ajo do të lirohej pas një “sesioni riedukimi”.

Policia më vonë tha se Amini kishte pësuar një sulm në zemër. Megjithatë, familja e Aminit e kundërshtoi këtë dhe tha se ajo ishte e shëndetshme dhe nuk kishte përjetuar ndonjë problem shëndetësor më parë.

Vajza ishte në koma pasi mbërriti në spital, tha familja e saj, duke shtuar se stafi i spitalit u tha se ajo ishte e vdekur në tru, raporton Guardian.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi të Aminit e shtrirë në shtratin e spitalit në gjendje kome me fasha rreth kokës dhe tuba të frymëmarrjes.

Image

 

Presidenti Rais nënshkroi një dekret më 15 gusht që shtrëngonte veshjen e grave dhe përcaktonte dënime më të ashpra për shkeljen e kodit të rreptë, si në publik ashtu edhe në internet.

Gratë janë arrestuar në të gjithë vendin pas “ditës kombëtare të hixhabit dhe dëlirësisë”, të shpallur më 12 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat