Irani kërkon garanci se SHBA nuk do të tërhiqet përsëri nga marrëveshja bërthamore

Azia

Irani kërkon garanci se SHBA nuk do të tërhiqet përsëri nga marrëveshja bërthamore

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi thotë se nuk do të ketë rikthim tek marrëveshja bërthamore e vitit 2015, nëse Shtetet e Bashkuara nuk japin garanci se nuk do të tërhiqen sërish nga marrëveshja, siç ndodhi gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump më 2018. Ndërkohë, dy ligjvënës republikanë i thanë Zërit të Amerikës se nuk besojnë se Teherani do të veprojë në mirëbesim.

Ndërsa udhëheqësit botërorë po mblidhen në qytetin e Nju Jorkut për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Iranit Ebrahim Raisi zbehu shpresat për rikthimin në marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare të Iranit të vitit 2015.

Zoti Raisi tha për emisionin ’60 minuta” të rrjetit “CBS News” se pas tërheqjes së njëanshme nga marrëveshja të administratës së ish-presidentit Trump në vitin 2018, Teherani kërkon garanci nga Uashingtoni se kjo nuk do të ndodhë sërish nën një administratë të re.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se është e vështirë për çdo administratë të japë garanci për një administratë të ardhshme.

“Ajo që duhet të kuptojë pala iraniane është nëse ata vërtet duan të arrijnë marrëveshje më të qëndrueshme dhe më të vështirë për çdo president amerikan që të tërhiqet prej saj. Është në interes të Iranit të zgjerojë dialogun politik me Shtetet e Bashkuara për të krijuar besim”, tha Alex Vatanka nga Instituti i Lindjes së Mesme.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Koordinatori i Këshillit për Sigurinë Kombëtare John Kirby tha se për momentin Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë më larg marrëveshjes, por ai vazhdon të besojë se rikthimi i saj është rruga e duhur.

“Shtetet e Bashkuara janë ende të përkushtuara për rikthimin e marrëveshjes dhe zbatimin e saj, sepse vazhdojmë të besojmë se marrëveshja funksiononte para tërheqjes se administratës së kaluar. Sot, Irani është më afër prodhimit të një arme bërthamore sesa ishte në vitin 2015 kur u arrit marrëveshja”, tha zoti Kirby.

Ndërkohë, ligjvënësit republikanë kundërshtojnë përpjekjet e administratës së zotit Biden për rikthimin e marrëveshjes.

Ligjvënësi Tim Burchett i tha Zërit të Amerikës se nuk pret që Irani të veprojë në mirëbesim.

“Ata kanë kërkesa mjaft të paarsyeshme dhe joreale. Ata duan të përfitojnë ekonomikisht nga marrëveshja e vitit 2015 dhe duan t’u japin fund hetimeve të Kombeve të Bashkuara për disa materiale të padeklaruara bërthamore në Iran”, tha ai.

Kreu i republikanëve në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, Michael McCaul, i tha Zërit të Amerikës se është i shqetësuar për veprimet e Teheranit nëse sanksionet kundër Iranit lehtësohen.

“Shqetësohem se nëse heqim sanksionet dhe kemi miliarda dollarë që shkojnë në Iran, do të përballemi me përvojën e njëjtë të financimit të operacioneve terroriste në Siri, Irak, Liban, me militantët e Hamasit, gjithashtu në Jemen, pastaj rebelët Huthi”, tha zoti McCaul.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna i bëri thirrje Iranit të pranojë propozimin për rikthimin e marrëveshjes bërthamore, duke paralajmëruar se nuk do të ketë një ofertë më të mirë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat