Kina heq kufizimet për fluturimet ndërkombëtare të vendosura për shkak të COVID-19

Azia

Kina heq kufizimet për fluturimet ndërkombëtare të vendosura për shkak të COVID-19

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 16:52
Foto ilustrim

Pas njoftimit për heqjen e kufizimeve të udhëtimeve jashtë vendit dhe masave kufitare të zbatuara për shkak të pandemisë COVID-19, Kina bëri të ditur se do të hiqen edhe kufizimet e zbatuara për fluturimet ajrore ndërkombëtare.

Në një deklaratë nga Administrata e Aviacionit Civil të Kinës thuhet se kufizimet për numrin e udhëtarëve dhe fluturimeve ndërkombëtare për shkak të pandemisë nuk do të zbatohen që nga 8 janari 2023.

Sipas kësaj, do të hiqen masat që kufizojnë kompanitë ajrore të fluturojnë vetëm me 75 për qind të mbushjes në fluturime dhe që i japin të drejtën vetëm për një fluturim në javë nga Kina drejt destinacioneve jashtë vendit dhe nga jashtë vendit drejt Kinës, shkruan Anadolu.

Kompanitë ajrore vendase dhe të huaja do të mund të vazhdojnë udhëtimet e tyre në linjat e jashtme në përputhje me marrëveshjet dypalëshe të transportit ajror.

Më tej thuhet se do t‘i jepet fund praktikave që parashikojnë pezullimin e udhëtimeve që autoritetet kineze i konsiderojnë “të rrezikshme” sipas numrit të rasteve në udhëtimet e jashtme që mbërrijnë në vend.

Administrata e Aviacionit Civil tha se do të pranohen në mënyrë graduale aplikimet e kompanive ajrore vendase dhe të huaja lidhur me udhëtimet ndërkombëtare me pasagjerë dhe se synohet që kapaciteti i fluturimeve ndërkombëtare të arrijë në muajt e verës dhe vjeshtës 2023 në nivelin para pandemisë.

Kina në fillimin e pandemisë së COVID-19, me një udhëzim të publikuar në mars 2020 vendosi kufizime ndaj fluturimeve ndërkombëtare.

– Ishte njoftuar heqja e kufizimeve për udhëtimet jashtë vendit

Komisioni Kombëtar Shëndetësor më 26 dhjetor tha se që nga 8 janari 2023 COVID-19 nuk do të konsiderohet më si “sëmundje pandemike e kategorisë A” dhe se do të hiqen kufizimet e zbatuara në përputhje me Ligjin për Shëndetin Kufitar dhe Karantinën.

Me praktikën e re, udhëtarët që vijnë nga jashtë vendit nuk do të jenë të detyruar të marrin kodin shëndetësor në konsullatat dhe ambasadat e Kinës para udhëtimit dhe nuk do të mbahen në qendrën e karantinës edhe nëse janë pozitivë pas mbërritjes së tyre.

– ShBA dhe Italia e bëjnë të detyrueshëm testin e COVID-19 për udhëtarët nga Kina

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të SHBA-së tha se kanë marrë vendim që duke filluar nga data 5 janar 2023 ta bëjnë të detyrueshëm testin për COVID-19 dhe paraqitjen e rezultatit negativ për ata që vijnë në SHBA nga Kina.

Në një deklaratë me shkrim nga CDC thuhet se praktika do të jetë e vlefshme edhe për ata që do të udhëtojnë nga Hong Kongu dhe Makao.

Gjithashtu dhe Italia solli kufizime duke u bërë vendi i parë perëndimor që i bëri të detyrueshme testet e koronavirusit për udhëtarët me avionë që vijnë nga Kina.

Ministri i Shëndetësisë së Italisë, Orazio Schillaci, tha se ishte “thelbësore të sigurohet mbikëqyrja dhe zbulimi i varianteve të mundshme të virusit në mënyrë që të mbrohet popullata italiane”.

Dorëzimi i një testi negativ do të jetë gjithashtu i detyrueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat