Të paktën 61 të vrarë nga shpërthimi i një bombe në një xhami në Pakistan

Azia

Të paktën 61 të vrarë nga shpërthimi i një bombe në një xhami në Pakistan

Më: 30 janar 2023 Në ora: 23:10
Foto ilustrim

Shpërthimi i një bombe në një xhami të mbushur me njerëz në Pakistanin veriperëndimor të hënën shkaktoi vdekjen e të paktën 61 besimtarëve dhe plagosjen e më shumë se 150 të tjerëve.

Sipas policisë, sulmi në Peshavar, kryeqyteti i provincës Khyber Pakhtunkhva, u krye nga një sulmues vetëvrasës.

Një zyrtar i lartë i policisë në Peshavar konfirmoi numrin e të vrarëve për Zërin e Amerikës dhe tha se kishte frikë se numri i të vdekurve do të rritej pasi ka ende besimtarë të pagjetur dhe trupa të paidentifikuar.

Një zyrtar i lartë i sigurisë, Zëvendës Komisioneri Shafiullah Khan, tha se dy të mbijetuar u gjetën në rrënoja

“Jam këtu në vendin e shpërthimit dhe po mbikëqyr operacionin e kërkim-shpëtimit. Rrënojat po hiqen dhe ne sapo nxorrëm dy të mbijetuar”, tha zoti Khan për televizionin shtetëror pakistanez.

Zyrtarët e spitalit të qytetit konfirmuan pranimin e dhjetëra të plagosurve dhe e përshkruan gjendjen e disa prej tyre si "kritike".

Viktimat ishin kryesisht anëtarë të forcave të policisë provinciale.

Të mbijetuarit dhe anëtarët e ekipeve të kërkim-shpëtimit thanë se çatia e ndërtesës ishte shembur për shkak të shpërthimit masiv.

Zyrtarët e policisë nuk pranonin të diskutonin menjëherë natyrën e sulmit, duke thënë se për këtë janë duke u zhvilluar hetime.

Kryeministri Shahbaz Sharif "ka dënuar sulmin vetëvrasës në xhaminë" në Peshavar, thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar në Islamabad, kryeqytetin pakistanez.

Ish-kryeministri Imran Khan, udhëheqësi kryesor i opozitës në Pakistan, denoncoi gjithashtu shpërthimin, duke e quajtur atë një "sulm vetëvrasës terrorist" në një postim në Twitter.

Xhamia frekuentohej nga zyrtarë të sigurisë dhe të qeverisë.

Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës.

Provinca pakistaneze kufizohet me Afganistanin dhe ka përjetuar sulme të përsëritura terroriste në muajt e fundit. Përgjegjësinë për shumicën e sulmeve në të kaluarën e ka marrë organizata e paligjshme “Tehrik-i-Taliban Pakistani”, e njohur si Talebanët e Pakastianit.

Talebanët e Pakistanit, në një deklaratë të lëshuar për mediat, përfshirë Zërin e Amerikës, thanë se nuk janë përgjegjës për sulmin vdekjeprurës të së hënës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat