Turqia kufizon eksportet në Izrael - shkak Gaza

Azia

Turqia kufizon eksportet në Izrael - shkak Gaza

Më: 9 prill 2024 Në ora: 10:45
Gazë. Prill, 2024.

Turqia do t’i kufizojë eksportet e një game të gjerë produktesh në Izrael, përfshirë çelikun dhe karburantet për avionë, derisa të shpallet armëpushimi në Gazë, tha të martën Ministria e Tregtisë e Turqisë.

Turqia e dënoi Izraelin për fushatën e sulmeve në Gazë, e cila nisi pasi Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - sulmoi Iztaelin më 7 tetor.

Ankaraja bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, mbështeti nismat për të gjykuar Izraelin për gjenocid dhe dërgoi mijëra tonelata ndihma për banorët e Gazës.

Megjithatë, ajo i vazhdoi lidhjet tregtare me Izraelin, duke shkaktuar reagime të brendshme.

Ministria e Tregtisë e Turqisë tha se kufizimet e eksporteve për Izraelin do të nisin menjëherë.

“Ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli, sipas detyrimeve që dalin nga ligji ndërkombëtar, të shpallë armëpushim në Gazë dhe të lejojë rrjedhjen e papenguar të ndihmave të mjaftueshme humanitare në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë.

Menjëherë pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, Turqia dhe Izraeli i tërhoqën ambasadorët e tyre.

Por, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u përball me kritika në rritje për lidhjet tregtare të Qeverisë së tij me Izraelin.

Policia arrestoi dhjetëra protestues që kërkonin t’i jepej fund tregtisë me Izraelin, të shtunën në Stamboll.

Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng më shumë se 250 të tjerë.

Autoritetet izraelite thonë se nga 130 pengjet që mbeten në Gazë, së paku 34 janë të vdekur.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se më shumë se 33.000 banorë të Gazës janë vrarë prej se Izraeli ka nisur ofensivën.

Gaza, po ashtu, raportohet të jetë në prag të urisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat