Redaktori i gazetës izraelite “Haaretz”, Aluf Benn pretendon se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu është përgatitur për aneksimin e veriut të Gazës dhe për ngritjen e vendbanimeve për izraelitët në këtë rajon.
Benn në artikullin e tij në gazetë tha se Izraeli ka hyrë në fazën e dytë të luftës së tij në Gaza dhe njoftoi planet lidhur me këtë fazë.
“Në këtë fazë, Izraeli do të përpiqet të sigurojë kontrollin në rajonin nga veriu i Gazës deri në korridorin Netzarim (korridori që ndan veriun nga jugu). Ky rajon do të përgatitet gradualisht për vendbanim dhe aneksim sipas shkallës së kundërshtimit ndërkombëtar. Nëse ky plan vihet në zbatim, ashtu siç ka propozuar ish kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare izraelite gjenerali në pension Giora Eiland, palestinezët që mbeten në Gazën veriore do të largohen prej aty nën kërcënimin e urisë dhe nën maskën e mbrojtjes së jetës së tyre”, thekson Benn në artikullin e tij.
Ai vuri në dukje se Netanyahu ëndërron të zgjerojë territorin izraelit dhe nëse kjo realizohet, do të jetë një sukses absolut për të.
Largimi i UNRWA-së nga Gaza
Duke kujtuar se Netanyahu javën e kaluar udhëzoi ushtrinë që të përgatitej për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza në vend të organizatave ndërkombëtare, Benn tha se shefi i Shtabit të Përgjithshëm Herzi Halevi ishte në mëdyshje për këtë me arsyetimin se do të rrezikonte ushtarët dhe kostoja do të ishte e lartë, por Netanyahu nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij.
Benn mbron idenë se nëse Izraeli kontrollon hyrjet e ndihmave, ai do të gjente mundësinë të largojë nga Gaza një herë dhe përfundimisht Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), të cilën e djathta izraelite e sheh si një projekt anti-sionist.
Pengjet izraelite
Redaktori i “Haaretz”, Benn thotë se Netanyahu hoqi dorë nga kthimi i pengjeve në Gaza dhe i ka braktisur ata në tortura dhe vdekje në tunelet e Hamasit.
Sipas tij, kjo kishte për qëllim të kthente që gjërat të shkonin keq për kreun e Byrosë Politike të Hamasit, Yahya Sinwar.
“Në vend që të jenë një pasuri që do të mundësojë një arritje të madhe për shkëmbim nga Izraeli, pengjet do të jenë një barrë për palestinezët dhe një arsye që Izraeli të vazhdojë luftën dhe bllokimin”, tha Benn.