Pesë turistë vriten në Kashmirin e Indisë, përgjegjësinë e merr një grup militant

Azia

Pesë turistë vriten në Kashmirin e Indisë, përgjegjësinë e merr një grup militant

Më: 22 prill 2025 Në ora: 16:53
Kashmir

Militantët e dyshuar hapën zjarr në rajonin e Kashmirit të Indisë të martën, duke vrarë të paktën pesë turistë dhe duke plagosur tetë persona të tjerë, tha një burim policor për Reuters, në sulmin më të keq të tillë në territor në gati një vit.

Në zonë, siç raportojnë mediat e huaja, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, pas të cilave forcat e sigurisë u vërsulën atje.

Sulmi ndodhi në Pahalgam, një destinacion i famshëm në këtë territor të banuar kryesisht nga myslimanët, që tërheq mijëra vizitorë çdo vit gjatë verës.

Një grup militant pak i njohur i quajtur “Rezistenca e Kashmirit” mori përgjegjësinë për sulmin në një mesazh në rrjetet sociale. Ai shprehu pakënaqësinë që mbi 85,000 “të huaj” ishin vendosur në rajon, duke nxitur një “ndryshim demografik”.

Reuters tha se nuk ka mundur të verifikonte në mënyrë të pavarur burimin e mesazhit.

Ky rajon i Himalajeve, për të cilin pretendojnë edhe India edhe Pakistani, por që e drejtojnë pjesërisht të dyja, është tronditur nga dhuna militante që nga fillimi i një kryengritjeje anti-indiane në 1989. Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë, megjithëse dhuna është zvogëluar vitet e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat