Operacioni Sindoor është emri i koduar që India i ka dhënë sulmeve ajrore që kreu kundër Pakistanit gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës.
Delhi tha se kishte goditur nëntë pika në Pakistan dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani, si përgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës muajin e kaluar në Pahalgam ndaj turistëve indianë, duke shtuar se këto ishin objekte të “infrastrukturës terroriste” në Pakistan. Islamabad-i tha se ishin goditur vetëm gjashtë pika dhe hodhi poshtë akuzat e Delhit se strehojnë militantë. Ai gjithashtu premtoi hakmarrje, shkruan BBC transmeton "Bota sot".
Në Indi, zgjedhja e emrit Operacioni Sindoor është pritur me entuziazëm nga qytetarët dhe partitë politike. Ai shihet si një homazh simbolik për gratë që mbetën të veja nga sulmi në Pahalgam, ku u vranë 26 burra.
Në traditën hindu, sindoori, ose pluhuri i kuq (vermilon), vishet nga gratë e martuara në ndarjen e flokëve ose në ballë. Ai zakonisht hiqet kur një grua mbetet e ve, duke e kthyer atë në një simbol humbjeje.
Një imazh i publikuar nga qeveria për emrin e operacionit tregon njërën nga shkronjat “O” në fjalën sindoor të zëvendësuar me një enë të vogël që përmban pluhur të kuq.
"Ai sjell ndër mend imazhin, të gdhendur në ndërgjegjen tonë kombëtare, të nuses së re që sapo kishte mbetur e ve, e gjunjëzuar dhe duke qarë pranë bashkëshortit të saj të vrarë pas vetëm gjashtë ditësh martese në Pahalgam – e gjithë arsyeja pse Operacioni #Sindoor ishte i domosdoshëm," shkroi deputeti i Kongresit Shashi Tharoor në X.