Udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Mihammad Sinwar, u shënjestrua në një sulm masiv ajror të ushtrisë izraelite në një spital në pjesën jugore të Rripit të Gazës të martën pasdite, thanë burimet e sigurisë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, të cilat nuk konfirmuan nëse Sinwar-i ishte vrarë, thanë në një deklaratë se kishin vënë në shënjestër operativë të Hamasit në një qendër komande nëntokësore që i përkiste këtij grupi, nën Spitalin Evropian në Khan Younis, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ushtria gjithashtu publikoi pamje të pasojave të sulmit. Në video të publikuara në internet shihej tym i madh duke u ngritur përreth spitalit, përderisa një aeroplan luftarak izraelit hodhi dhjetëra bomba të rënda.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila menaxhohet nga Hamasi, raportoi për 16 të vdekur e 70 të lënduar nga sulmi, edhe pse nuk pati ndonjë njoftim nëse në mesin e viktimave ishte edhe Sinwar-i.
Disa orë pas këtij sulmi, tri raketa u hodhën nga pjesa veriore e Gazës në drejtim të Ashkelonit dhe Sderotit në jug të Izraelit, tha ushtria izraelite, duke shtuar se kishte penguar dy raketa, ndërsa një tjetër ra në një zonë të hapur. Nuk pati të lënduar nga sulmi për të cilin përgjegjësinë e mori grupi Xhihadi Islam.
Pas sulmit, ushtria izraelite lësho një paralajmërim për evakuim për palestinezët në Jabalia të Gazës. Duke shkruar në rrjetin X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite për gjuhën arabe, Avichay Adraee, publikoi një hartë të zonës që duhet të evakuohet, duke thënë se ky ishte një “paralajmërim i fundit” para se ushtria izraelite të kryente sulme atje.
Burimet e sigurisë thanë se ushtria ishte duke punuar për të konfirmuar nëse përpjekja për vrasjen e Muhammad Sinwar-it ishte e suksesshme apo jo. Nëse ai ndodhej vërtet në tunel, siç sinjalizonin të dhënat e inteligjencës, me gjasë është vrarë, thanë burimet.