Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve që të evakuohen nga Khan Younis përpara një ‘sulmi të paparë’.
Në një postim në X, zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adraee, u ka thënë banorëve që jetojnë në Khan Younis, Bani Suheila dhe Abasan në jug të Gazës të “evakuohen menjëherë” përpara një “sulmi të paparë” që ai pretendon se synon infrastrukturën e Hamasit, shkruajnë mediat e huaja.
“IDF do të nisë një sulm të paparë për të shkatërruar aftësitë e organizatave terroriste në këtë zonë”, shkroi ai në postimin në mediat sociale.
“Ju duhet të evakuoheni menjëherë në perëndim në zonën Mawasi. Nga ky moment, Khan Younis do të konsiderohet një zonë e rrezikshme luftimi. Organizatat terroriste ju kanë sjellë fatkeqësi. Për sigurinë tuaj, evakuohuni menjëherë”.
Paralajmërimi i fundit për evakuim vjen pasi ushtria izraelite lëshoi një urdhër të veçantë evakuimi për zonat e Gazës qendrore dje, ndërsa vazhdon me ofensivën e saj të zgjeruar në të gjithë Gazën, e cila po shoqërohet me një fushatë të intensifikuar vdekjeprurëse bombardimi.
Paralajmërimet vijnë në kohën kur shefi i OBSH-së ka thënë se “dy milionë njerëz po vdesin nga uria” në Gaza, ndërsa ushqimi është bllokuar në kufi.
“Dy milionë njerëz po vdesin nga uria” ndërsa “tonelatë ushqimi janë bllokuar në kufi, vetëm pak minuta larg”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në hapjen e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.
OBSH-ja ka thënë se rreth një e katërta e popullsisë prej 2.1 milionë banorësh në Gaza po përballen me “një situatë katastrofike urie, kequshqyerjeje akute, urisë, sëmundjes dhe vdekjes” për shkak të bllokadës izraelite.
Në një njoftim për shtyp të publikuar javën e kaluar, organizata e përshkroi mungesën ekstreme të ushqimit si “një nga krizat më të këqija të urisë në botë, që po zhvillohet në kohë reale”.