Kriza e heshtur në Jemen, mbi 6 milionë gra që bota i ka harruar

Azia

Kriza e heshtur në Jemen, mbi 6 milionë gra që bota i ka harruar

Më: 20 korrik 2025 Në ora: 12:53
Foto ilustrim

Jemeni po përballet aktualisht me një nga momentet më të rënda humanitare.

Anulimi i mbi 80% të programeve të ndihmës së jashtme nga SHBA-të, së bashku me shkurtimet nga donatorë të tjerë humanitarë, po shkakton pasoja katastrofike.

Në Jemen, komunitete të tëra janë të rrezikuara nga kolera pa ujë të pastër dhe miliona njerëz pa akses në kujdesin bazë shëndetësor. Deri tani, janë financuar më pak se 10% nga 2.5 miliardë dollarë të nevojshme për përgjigjen humanitare të vitit 2025.

Por pas këtyre shifrave fshihet një krizë e padukshme: 6.2 milionë gra dhe vajza në Jemen janë në rrezik nga dhuna me bazë gjinore. Për shkak të mungesës së fondeve, plani i përditësuar humanitar i OKB-së për vitin 2025 synon të ndihmojë vetëm rreth 1% të atyre që kanë nevojë.

Organizatat vendase janë detyruar të mbyllin hapësirat e sigurta, të ndalojnë kujdesin psiko-social dhe të pezullojnë ndihmën ligjore. Këto nuk janë thjesht shkurtim shërbimesh, por një shpërbërje e të gjithë rrjetit të mbrojtjes që është ndërtuar ndër vite për gratë jemenase.

Drejt greminës

Në fund të vitit të kaluar, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) nisi një studim për të kuptuar sfidat dhe pengesat me të cilat përballen këto grupe në Jemen, me qëllim krijimin e një sistemi më të barabartë financimi dhe partneriteti. Shkurtimet e këtij viti e kanë rritur edhe më tej urgjencën për të gjetur një zgjidhje.

Amani, një përfaqësuese e një OJQ-je lokale, thotë se gratë “udhëtojnë për orë të tëra për të arritur në një hapësirë të sigurt, vetëm për të gjetur një ndërtesë të braktisur sepse nuk kanë para”.

Organizatat e grave në Jemen nuk ofrojnë vetëm ndihmë emergjente. Ato ofrojnë mbështetje afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse, nga strehim, këshillim për traumën, ndihmë juridike, deri te zhvillimi i aftësive, duke ndihmuar gratë jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të rimëkëmben. Ato janë pjesë e komuniteteve, aty ku aktorët ndërkombëtarë shpesh e kanë të vështirë të veprojnë. Aftësia e tyre për të kuptuar normat lokale dhe për të fituar besimin e komuniteteve, u lejon të ofrojnë shërbime që janë të ndjeshme ndaj kontekstit kulturor. Ato janë gjithashtu “motorë” ndryshimi afatgjatë.

Megjithatë, pavarësisht ndikimit dhe përfshirjes së tyre, ato vazhdojnë të mbeten pa fonde të mjaftueshme dhe shpeshherë të përjashtuara nga proceset vendimmarrëse.

Përballë momentit

Kjo nuk është thjesht një çështje financimi, është një çështje pabarazie. Organizatat e grave në Jemen janë më afër krizës dhe më larg burimeve për ta përballuar atë. Derisa kjo të ndryshojë, përgjigjja humanitare do të vazhdojë të dështojë përballë këtyre grave.

Zgjidhja mund të vijë, nëse:

Së pari, duhet të ndryshojë balanca e fuqisë. Donatorët dhe OJQ-të ndërkombëtare duhet t’i përfshijnë organizatat lokale të grave në strukturat e koordinimit dhe vendimmarrjes. Lokalizimi nuk ka të bëjë me shifra, por me atë se kush udhëheq dhe kush vendos.

Së dyti, sistemet e financimit duhet të reformohen. Thirrjet për propozime duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme për grupet në terren. Buxhetet duhet të përfshijnë nevoja bazë si qiraja, siguria dhe pagat, jo vetëm kostot direkte të projekteve.

Së treti, duhet të investohet në ndërtimin e kapaciteteve lokale. Mbështetja duhet të reflektojë prioritetet e përcaktuara nga vetë grupet e grave, jo sipas kritereve të jashtme.

Së katërti, duhet të nxitet bashkëpunimi mes grupeve, duke krijuar platforma për ndarje njohurish, solidaritet dhe inovacion.

Së fundmi, përpjekjet për avokim duhet të forcohen. Organizatat e grave duhet të njihen jo vetëm si ofruese shërbimesh, por si udhëheqëse. Perspektivat e tyre duhet të formësojnë politikat, programet dhe reformat.

Në momente krize, instinkti është shpesh të mbrohen “shërbimet bazë”, por reagimi ndaj dhunës me bazë gjinore nuk është opsional. Për më shumë se 6 milionë gra dhe vajza në Jemen, është thelbësor.

Kjo nuk është vetëm një krizë financimi. Është një “test” i vërtetë për sistemin humanitar, nëse ai është serioz rreth solidaritetit, barazisë dhe ndryshimit afatgjatë./tvklan.al

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat