Japonia regjistron temperaturë rekorde, shtohet shqetësimi për të mbjellat e orizit

Azia

Japonia regjistron temperaturë rekorde, shtohet shqetësimi për të mbjellat e orizit

Më: 5 gusht 2025 Në ora: 10:03
Foto ilustrim

Japonia e regjistroi të martën temperaturën më të lartë ndonjëherë – 41,8 gradë Celsius. Ky fakt e nxiti Qeverinë që t’u bënte thirrje banorëve që të qëndronin brenda shtëpive dhe të premtonte hapa për lehtësimin e dëmit të lidhur me motin ndaj të mbjellave të orizit.

Temperatura në qytetin lindor Isesaki, në prefekturën Gunma, e kaloi rekordin e mëhershëm prej 41,2 gradësh që ishte regjistruar javën e kaluar në qytetin Tamba të prefekturës Hyogo, tha agjencia meteorologjike e vendit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Deri më tani këtë verë, më shumë se 53 mijë njerëz janë dërguar në spitale për goditje nga vapa, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave.

“Sot është nxehtë në mënyrë vrastare” – tha 63-vjeçari Takeshi Ishikawa, i cili po e mbushte me ujë shishen e tij në një fontanë në Tokio. “Nëse temperatura shkon në 42 gradë, do të ishte më nxehtë se banja që e përgatis në 40 gradë” – shtoi ai.

Temperaturat mesatare në mbarë Japoninë kanë vazhduar të rriten pas shënimit të rekordit në korrik për vitin e tretë rresht, përderisa rajoni verilindor, përgjatë Detit të Japonisë, ka regjistruar nivele të ulëta kritike të reshjeve të shiut, duke e shtuar shqetësimin për të mbjellat e orizit.

“Ne duhet të veprojmë me shpejtësi dhe me ndjenjën e krizës për ta parandaluar dëmin” nga temperaturat e larta, tha në një konferencë për gazetarë ministri i Fermave, Shinjiro Koizumi. Ai premtoi se Qeveria do të ofrojë mbështetje për kontrollimin e insekteve dhe masa për luftimin e thatësisë.

Vapa e madhe në vitin 2023 e kishte dëmtuar cilësinë e orizit, duke shkaktuar mungesë akute vitin e kaluar, e cila ishte përkeqësuar nga leximi i gabuar i furnizimit dhe kërkesës nga Qeveria.

Kjo situatë kishte çuar në çmime historikisht të larta të ushqimit bazë, duke shkaktuar krizë kombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat