Pas tarifave të Trump, India dhe Kina kërkojnë të “rindezin” marrëdhëniet tregtare

Azia

Pas tarifave të Trump, India dhe Kina kërkojnë të “rindezin” marrëdhëniet tregtare

Më: 31 gusht 2025 Në ora: 11:49
Foto nga takimi

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, mbërriti në Kinë të dielën, ndërsa tarifat e vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump mbi produktet indiane mbeten çështja më e nxehtë.

Që nga e mërkura, tarifat ndaj mallrave indiane që shkojnë drejt SHBA-ve, si diamantet dhe karkalecat, janë rritur në 50%, si ndëshkim për vijimin e blerjes së naftës ruse nga Delhi. Ekspertët thonë se ky vendim kërcënon seriozisht sektorin e eksportit të Indisë dhe planet e saj për rritje të shpejtë ekonomike.

Edhe presidenti kinez Xi Jinping po përballet me ngadalësim ekonomik, ndërsa tarifat amerikane rrezikojnë të prishin strategjitë e tij. Në këtë sfond, dy liderët e vendeve më të populluara në botë mund të shohin një mundësi për të rifilluar marrëdhëniet e tyre, të dominuara prej vitesh nga mosbesimi dhe mosmarrëveshjet kufitare.

“Thënë thjesht, ajo që ndodh në këtë marrëdhënie ka rëndësi për të gjithë botën”, shkruajnë analistët Chietigj Bajpaee dhe Yu Jie nga Chatham House.

Fuqitë ekonomike dhe pengesat politike

India dhe Kina janë dy gjigantë ekonomikë: Respektivisht ekonomia e pestë dhe e dyta më e madhe në botë. Me rritjen mbi 6% dhe një ekonomi 4 trilionë dollarëshe, India pritet të ngjitet në vendin e tretë deri në vitin 2028, sipas FMN.

Megjithatë, marrëdhënia mes dy vendeve është e ndërlikuar. Mosmarrëveshja e gjatë kufitare mbetet burim tensioni, sidomos pas përleshjeve të dhunshme në luginën Galwan në Ladakh në vitin 2020, incidenti më i rëndë në katër dekada. Pasojat u ndjenë në ekonomi: fluturimet direkte u pezulluan, vizat dhe investimet kineze u ngrinë, dhe India ndaloi mbi 200 aplikacione kineze, përfshirë TikTok.

Ekzistojnë edhe “vija të tjera të nxehta”.Tibeti dhe Dalai Lama, projektet gjigante të hidrocentraleve të Kinës në lumenjtë e përbashkët, si dhe tensionet mes Indisë dhe Pakistanit pas sulmit në Pahalgam.

Një aleancë e pakëndshme, por e nevojshme

Modi po udhëton drejt Kinës për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një forum rajonal ku bëjnë pjesë Kina, India, Rusia, Irani dhe Pakistani. Në të kaluarën, Delhi e ka nënvlerësuar këtë organizatë, por ftohja e marrëdhënieve me SHBA-të e ka bërë Indinë të rishohë rolin e saj.

Ndërkohë, Pekini vlerëson idenë e solidaritetit të “Global South” në kushtet e presionit nga tarifat e Trump. Grupimi BRICS, ku bëjnë pjesë Kina, India, Rusia, Brazili dhe Afrika e Jugut, tashmë ka nxitur zemërimin e Trump, i cili kërcënon me tarifa të tjera.

Modi së fundmi është takuar me Xi dhe Putinin në samitin e BRICS në Rusi, ndërsa Moska ka paralajmëruar për bisedime të reja trepalëshe. Sipas ekspertëve, kombinimi i avantazheve të tyre, prodhimi industrial i Kinës, sektori i shërbimeve i Indisë dhe burimet natyrore të Rusisë, mund të krijojë alternativa ndaj varësisë nga SHBA dhe të riformësojë tregtinë globale.

Perspektiva ekonomike

India mbetet e varur nga Kina për furnizimin me lëndë të para dhe komponentë. Ekspertët shohin si mundësi marrëveshje për uljen e tarifave të importit dhe bashkëpunim në elektronikë. Shembuj si prodhimi i iPhone në Indi dhe i AirPods në Vietnam tregojnë se nuk ka mbivendosje të drejtpërdrejtë në zinxhirët e furnizimit.

Kina, nga ana e saj, kërkon akses në tregun indian prej 1.45 miliardë njerëzish, veçanërisht pasi aplikacione si TikTok dhe Shein janë të ndaluara atje dhe tregjet e ASEAN-it janë tashmë të ngopura.

Edhe pse një takim i vetëm nuk do të ndryshojë menjëherë marrëdhënien, vizita e Modi në Kinë shihet si një hap drejt uljes së tensioneve dhe një mesazh i qartë për Uashingtonin se India ka alternativa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat