Witkoff e Kushner në mbledhjen e kabinetit izraelit, Ohana fton Trump për fjalim në parlament

Azia

Witkoff e Kushner në mbledhjen e kabinetit izraelit, Ohana fton Trump për fjalim në parlament

Më: 9 tetor 2025 Në ora: 23:32
I dërguari i posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner në mbledhjen e kabinetit izraelit

Llogaria X e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, sapo ka ndarë foto nga mbledhja e kabinetit, e cila po zhvillohet tani.

Netanyahu është fotografuar i ulur pranë të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner.

Kushner dhe Witkoff janë bashkuar në një takim qeveritar izraelit mbi planin e propozuar të armëpushimit në Gaza, thanë burime për CNN.

Ndërkohë, kryetari i Knessetit, Amir Ohana, përmes një letre drejtuar presidentit amerikan Donald Trump ka kërkuar nga ky i fundit që të mbajë një fjalim para parlamentit të Izraelit.

“Ju keni demonstruar se nën udhëheqjen tuaj, Amerika nuk është vetëm një superfuqi ushtarake, por edhe një superfuqi morale - dhe se paqja vjen përmes forcës”, tha Ohana në një letër drejtuar Trump në X.

“Populli i Izraelit ju konsideron si mikun dhe aleatin më të madh të kombit hebre në historinë moderne. Prandaj, është nderi dhe privilegji im i thellë t'ju ftoj zyrtarisht të mbani një fjalim zyrtar drejtuar kombit para Knessetit (Parlamenti izraelit)”, shkroi Ohana.

Ai vuri në dukje se fjalimi i Trump do të jetë i pari nga një president në detyrë i SHBA-së që nga vizita e presidentit George W. Bush në vitin 2008.

Nuk dihet ende se kur do të flasë Trump, por ai i tha New York Post më herët sot se ka të ngjarë të udhëtojë në Lindjen e Mesme të dielën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat