Tjetër aksident me vinç në Tajlandë, humbin jetën dy persona

Azia

Tjetër aksident me vinç në Tajlandë, humbin jetën dy persona

Më: 15 janar 2026 Në ora: 07:52
Foto ilustrim

Dy persona humbën jetën pasi një vinç ndërtimi u rrëzua mbi një autostradë në Tajlandë, vetëm një ditë pas një aksidenti tjetër të rëndë me vinç në një pjesë tjetër të vendit, ku mbetën të vdekur 32 persona.

Ngjarja e fundit ndodhi në Samut Sakhon, një periferi e Bangkokut, ku vinçi po përdorej për ndërtimin e një autostrade. Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentin e rrëzimit të vinçit mbi rrugë, duke shtypur disa automjete dhe duke krijuar një re të madhe pluhuri dhe mbeturinash.

Një ditë më parë, në provincën verilindore Nakhon Ratchasima, një vinç tjetër u shemb mbi një tren në lëvizje, duke shkaktuar vdekjen e 32 personave dhe plagosjen e më shumë se 60 të tjerëve.

Autoritetet konfirmuan se punimet e ndërtimit në të dy incidentet po kryhen nga e njëjta kompani, Italian-Thai Development, një nga firmat më të mëdha të ndërtimit në Tajlandë. Ngjarjet kanë rikthyer në vëmendje problemin e aksidenteve të shpeshta dhe shpesh vdekjeprurëse në sektorin e ndërtimit në vend, të lidhura me zbatimin e dobët të standardeve të sigurisë.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 150 persona kanë humbur jetën gjatë shtatë viteve të fundit në aksidente të shumta në një projekt të madh përmirësimi rrugor nga Bangkoku drejt jugut të vendit.

Autostrada ku ndodhi shembja e fundit njihet edhe si “Rruga e Vdekjes”, për shkak të një sërë aksidentesh të rënda të regjistruara ndër vite, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, deklaroi se qeveria do të trajtojë çështjen e “neglizhencës” në sektorin e ndërtimit pas aksidentit të fundit. Ndërkohë, Hekurudha Shtetërore e Tajlandës njoftoi se ka nisur procedurat ligjore ndaj kompanisë Italian-Thai Development.

Kompania në fjalë është përfshirë edhe në një tjetër incident të rëndë, pasi ishte përgjegjëse për ndërtimin e një rrokaqielli në Bangkok që u shemb në mars të vitit të kaluar gjatë një tërmeti, ndërkohë që asnjë ndërtesë tjetër në qytet nuk pësoi dëmtime të ngjashme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat