LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 12:46 më 07.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Trump thotë se Irani do të goditet më fuqishëm se kurrë

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Irani, i cili sipas tij është “goditur deri në ferr”, ka kërkuar falje dhe është dorëzuar para fqinjëve në Lindjen e Mesme, duke premtuar se nuk do të sulmojë më vendet e rajonit.

Trump theksoi se ky dorëzim erdhi vetëm për shkak të sulmeve të vazhdueshme amerikane dhe izraelite, që sipas tij synonin të kontrollonin dhe sundonin Lindjen e Mesme.

Ai theksoi se kjo është hera e parë në mijëra vjet që Irani humbet ndaj vendeve përreth tij.

“Ata thanë ‘Faleminderit President Trump’,” shkroi ai, dhe shtoi se “Ju mirëpresim!”.

Trump e përshkroi Iranin më parë si “Bullying i Lindjes së Mesme”, ndërsa tani, sipas tij, është bërë “Humbësi i Lindjes së Mesme” dhe do të mbetet i tillë për dekada të tëra, derisa të dorëzohet ose, më me gjasa, të kolapsojë plotësisht.

Ai paralajmëroi gjithashtu se sot Irani do të goditet shumë ashpër, duke përfshirë zona dhe grupe njerëzish që deri tani nuk ishin konsideruar si objektiv i mundshëm, për shkak të sjelljes së tyre “të keqe”.

Edhe pse sot vazhdoi me sulme, presidenti iranian u kërkoi falje fqinjëve për bombardimet

Ndryshe, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian gjithashtu u kërkoi falje fqinjëve për sulmet ndaj tyre, duke sugjeruar se ato ishin shkaktuar nga keqkomunikimi brenda radhëve.

“Duhet t’u kërkoj falje vendeve fqinje që u sulmuan nga Irani, në emrin tim”, theksoi presidenti. “Që tani e tutje, ato nuk duhet të sulmojnë vendet fqinje ose të qëllojnë me raketa drejt tyre, përveç nëse sulmohemi nga ato vende. Mendoj se duhet ta zgjidhim këtë përmes diplomacisë”, pohoi ai.

Deklarata e tij u transmetua pas sulmeve të përsëritura të shtunën në mëngjes ndaj Bahrejnit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

SHBA do të dërgojë aeroplanmbajtësen e tretë në Lindjen e Mesme

Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa një tjetër aeroplanmbajtëse po përgatitet të vendoset në rajon mes tensioneve në rritje me Iranin.

Sipas raportimeve të Fox News, aeroplanmbajtësja “USS George HW Bush” përfundoi përgatitjet përfundimtare për misionin e saj të enjten. Marina Amerikane njoftoi se anija së bashku me anijet luftarake shoqëruese përfunduan ushtrimin kompleks të gatishmërisë operacionale të kërkuar për të certifikuar grupet e sulmit të aeroplanmbajtësve para se të ndërmarrin misione operacionale. 

Sipas Institutit Detar Amerikan, ky proces është një kërkesë kyçe që një grup sulmi të konsiderohet plotësisht i gatshëm për vendosje. “USS George HW Bush” pritet të vendoset së shpejti dhe të drejtohet për në Mesdheun lindor, duke forcuar më tej praninë ushtarake amerikane në rajonin më të gjerë.

Në të njëjtën kohë, USS Gerald R. Ford , aeroplanmbajtësja më e madhe në botë u vendos së fundmi në të njëjtën zonë gjeografike.  USS Abraham Lincoln mbetet në Detin Arabik, ku po merr pjesë në operacione që lidhen me luftën në Iran.

U vendosën para për vdekjen e Ajatollahut, por bastorja refuzoi të paguajë 54 milionë dollarë

Kur një drejtues biznesi izraelito-amerikan pa shenjat e gjelbra që tregonin se bastet e tij për rrëzimin e ajatollahut Ali Khameneit nga pozita e udhëheqësit suprem të Iranit kishin “dalë fituese”, ai mendoi se kishte bërë një fitim të jashtëzakonshëm.

Bastet prej 3.460 dollarësh u shndërruan papritmas në një fitim më shumë se 63 mijë dollarë pasi forcat amerikane dhe izraelite vranë ajatollahun në një sulm ajror. Megjithatë, ishte një problem: basti nuk u pagua kurrë.

Kjo ndodhi sepse platforma për tregje parashikimi Kalshi refuzoi t’u paguajë përdoruesve rreth 54 milionë dollarë që kishin vendosur lojtarët se Khamenei do të largohej nga pozita e udhëheqësit suprem, raportojnë mediat.

Kompania arsyetoi vendimin duke thënë se vdekja e ajatollahut nuk konsiderohet “rrëzim nga pushteti” dhe se platforma e saj nuk lejon bastet që lidhen drejtpërdrejt me vdekjen e një personi - edhe pse bastet ishin mbledhur dhe promovuar si të tilla.

Disa përdorues vendosen shuma të mëdha dhe u ndjenë të mashtruar, duke u acaruar në rrjetet sociale dhe duke thënë se Kalshi “ndryshoi rregullat” dhe i la pa fitimet që mendonin se kishin fituar.

Kompania pretendoi se kishte kompensuar përdoruesit me kthimin e parave të tyre në mënyrë proporcionale, por ata që kishin mundësi për fitime të mëdha shprehën hapur zemërimin e tyre.

​Sulm me dron pranë aeroportit të Dubait, presidenti i Iranit u kërkon falje vendeve të Gjirit për sulmet

Ka pasur një sulm me dron pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait - BBC ka verifikuar një video që tregon sulmin

Ndërkohë, ka konfuzion në lidhje me statusin e fluturimeve që hyjnë dhe dalin nga Dubai.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, u ka kërkuar falje shteteve fqinje dhe thotë se Teherani nuk do t'i sulmojë ato "nëse nuk sulmohet i pari", në një video-adresim të transmetuar në mediat shtetërore.

Menjëherë pas fjalimit të Pezeshkian, Katari thotë se kishte kapur një sulm me raketa.

Izraeli thotë se ka filluar një "valë të gjerë" sulmesh që synojnë infrastrukturën iraniane

Dhe në Liban, evakuime në shkallë të gjerë janë kryer në periferi të Bejrutit jugor, ku Izraeli thotë se ka sulmuar Hezbollahun, shkruan BBC.

“Marina shënjestroi territoret e pushtuara”/ Irani njofton valë të re sulmesh me dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane

Ushtria iraniane njoftoi sot se ka nisur një valë të re masive sulmesh me dronë kundër Izraelit dhe disa bazave amerikane në Lindjen e Mesme, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA.

Në një deklaratë të publikuar nga IRNA, forcat e armatosura iraniane thanë se marina e vendit kishte në shënjestër bazat amerikane dhe atë që e quajtën “territoret e pushtuara”, duke iu referuar Izraelit.

“Marina iraniane shënjestroi bazat amerikane dhe territoret e pushtuara me një valë masive sulmesh me dronë”, thuhet në deklaratë.

Sipas të njëjtit burim, ndër objektivat e përmendura janë baza ajrore Al Minhad në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të stacionuara trupa amerikane, një tjetër bazë ushtarake në Kuvajt, si dhe një “instalacion strategjik” në territorin izraelit.

Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi shkallën e dëmeve apo rezultatet e operacionit. Deri më tani nuk ka pasur konfirmime të pavarura nga Izraeli apo Shtetet e Bashkuara lidhur me këto pretendime.

​Shpërthime të fuqishme tronditën aeroportin kryesor të Teheranit

Shpërthime kanë tronditur një nga aeroportet kryesore tregtare të Teheranit , me dëshmitarë okularë që raportojnë një aeroplan që digjet në pistë. Izraeli më parë tha se po niste një valë të re sulmesh ndaj Iranit, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Presidenti Trump ka thënë se nuk do të ketë "asnjë marrëveshje" me Iranin përveç "dorëzimit pa kushte".

Ai thotë se pas çdo kapitullimi, Irani duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri të pranueshëm për administratën e tij.

Duke iu përgjigjur raportimeve se Rusia ka ndihmuar Iranin, sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth i tha CBS News se Trump është "i vetëdijshëm se kush po flet me kë".

Banorët e Teheranit i thonë BBC Persian se "nata e kaluar ishte nata më e keqe" deri më tani dhe përshkruajnë sulmet "çdo disa orë".

Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se ka pasur 217 vdekje që nga fillimi i sulmeve izraelite, ndërsa shpërthime të mëdha janë parë në Bejrut.

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar njofton se është nisur një fluturim i dytë çarter që transportonte shtetas britanikë të bllokuar nga Omani. 

Trump: SHBA-të po zhvendosin mijëra njerëz në të gjithë Lindjen e Mesme

Donald Trump thotë se SHBA-të po zhvendosin njerëz nga vende të ndryshme në të gjithë Lindjen e Mesme “në heshtje, por pa probleme”.

Në një postim në Truth Social, Trump vlerëson gjithashtu sekretarin e shtetit Marco Rubio për “punën e shkëlqyer”.  

Postimi duket se prek planet e evakuimit të SHBA-së për qytetarët e saj, pasi SHBA-ja nisi sulme ushtarake kundër Iranit gjatë fundjavës, duke shkaktuar një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Image
Donald Trump në një postim në Truth Social

Mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar në rajon.

CNN akuzohet për propagandë pro-regjimit iranian pas reportazhit mbi Teheranin “e qetë”

CNN u gjend nën akuzë këtë javë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump për një reportazh që disa kritikuan si “propagandë pro-regjimit iranian”.

Arsyetimi: reportazhi tregonte një pamje të jetës së përditshme në kryeqytet, duke e paraqitur situatën si të qetë pavarësisht konflikteve dhe trazirave në vend.

Korrespondenti i njohur ndërkombëtar, Frederik Pleitgen, gjatë segmentit tregoi dyqane të mbushura me produkte, raftet plot me gjëra të freskëta dhe karburant të disponueshëm, ndërsa ai vetë mbante një filxhan kafeje. “Ju nuk shihni asnjë shenjë paniku kudo,” tha ai në transmetim.

Image
Një burrë që mban një person të plagosur pasi një sulm ajror goditi afër sheshit Ferdowsi në qendër të Teheranit, Iran, më 3 mars 2026

Në rrjetin X, një zyrtar i administratës së Trump shkroi me ironi: “Duket se CNN po bën propagandë të hapur pro-regjimit iranian sepse dikush i dha këtij burri një kafe…”

Analistët e mediave vënë në dukje se ky incident ngre pyetje mbi balancën mes raportimit objektiv dhe perceptimit publik, duke shtuar tensionet mes mediave ndërkombëtare dhe qeverive të huaja.

Image
Një shtresë tymi ngrihet mbi një ndërtesë në Teheran, Iran, pas një shpërthimi më 6 mars 2026

Irani parlajmëron sërish Evropën: Nëse përfshiheni, do të jeni objekt legjitim për hakmarrje

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, tha në një intervistë me ‘France24’, se Teherani “i ka informuar tashmë evropianët dhe të gjithë të tjerët, se duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos përfshihen në këtë luftë agresioni kundër Iranit”.

Ai shtoi se do jetë “objektiv legjitim për çdo vend të përfshirë”. Ravanchi paralajmëroi hapur gjatë intervistës së tij:

“Nëse ndonjë vend merr pjesë në agresionin e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, ai do të jetë gjithashtu një objektiv legjitim për hakmarrje nga Irani”.

Sulmet e nisura të shtunën e kaluar nga SHBA-Izrael goditën Iranin, duke shkaktuar shumë dëme në industrinë ushtarake, institucione strategjike, por edhe viktima në zyrtarë të lartë, përfshi edhe liderin suprem, Ali Khamenei, disa familjarë të tij dhe drejtues institucionesh dhe ushtrie.

Tensionet në Lindjen e Mesme, Franca vendos një anijembajtëse helikopterësh në Mesdhe

Franca ka dërguar një anijembajtëse helikopterësh në Mesdhe si përgjigje ndaj luftës në Iran, njoftoi ushtria franceze të premten.

“Një anijembajtëse amfibe me helikopterë është vendosur në Mesdhe për të forcuar praninë e forcave të armatosura franceze në kontekstin e krizës në Lindjen e Mesme,” tha një zëdhënëse, pas vendimit të Francës për të dislokuar më parë gjatë javës anijën e saj kryesore dhe një fregatë.

Një anije e ngjashme ishte dërguar pranë bregut të Libanit si masë paraprake për të ndihmuar në rikthimin e qytetarëve në vendet e tyre, në rast të nevojës, gjatë luftës së vitit 2024 midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollahi. Konflikti aktual tashmë ka përfshirë Libanin.

Të enjten, presidenti francez Emmanuel Macron foli me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për të koordinuar kapacitetet ushtarake që po dërgojnë në Qipro, tha një burim i afërt me presidentin francez.

Tre liderët ranë dakord gjithashtu të “punojnë së bashku për të garantuar lirinë e navigimit në Detin e Kuq,” shtoi burimi.

Franca, Italia dhe Greqia marrin pjesë në Operacionin Aspides, i cili synon të sigurojë kalimin e anijeve tregtare në Detin e Kuq, ndërsa dy vendet e para gjithashtu marrin pjesë në Operacionin kundër piraterisë Atalanta pranë Gadishullit të Afrikës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat