LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 07:12 më 06.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Izraeli paralajmëron për intensifikimin e ofensivës në Iran

Ushtria izraelite tha se sulmet e saj gjatë natës kishin në shënjestër atë që e quajti “infrastrukturë të regjimit” në Teheran. Ajo thotë gjithashtu se ka sulmuar “infrastrukturën e Hezbollahut” në bastionet e këtij grupi të armatosur në Bejrut.

Ushtria e Izraelit po thekson atë që e përshkruan si “veprim të sinkronizuar” dhe “bashkëpunim vërtet historik” me forcat amerikane në Iran., shkruan BBC transmeton 'Bota sot"

Shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, tha se faza fillestare e “sulmit të befasishëm” përfshinte vendosjen e “epërsisë ajrore” dhe sulme ndaj bazave të raketave balistike. Ai tha se në fazën tjetër do të ketë “surpriza të tjera” për të “çmontuar më tej regjimin”.

https://www.instagram.com/reels/DVh

Gjatë natës, avionët luftarakë izraelitë kryen valën e katërmbëdhjetë të sulmeve ndaj Iranit që nga e shtuna, ndërsa bombardime të rënda u raportuan në Teheran dhe në qytete të tjera.

Të enjten, në Izrael u dëgjuan vazhdimisht sirenat paralajmëruese për raketa iraniane, me një rast të dukshëm të përdorimit të një koke luftarake me municione thërrmuese (cluster) – megjithëse nuk u raportuan të lënduar.

Në Liban, gjatë natës pati shpërthime të tjera në jug të Bejrutit, pasi ushtria izraelite paralajmëroi banorët të largoheshin nga lagje të tëra – duke shkaktuar skena paniku.

Hegseth thotë se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit do të rriten ndjeshëm

Natën e kaluar në Komandën Qendrore të SHBA-së, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, admirali i Komandës Qendrore Brad Cooper dhe Presidenti Donald Trump mbajtën një konferencë informuese mbi operacionet e SHBA-së kundër Iranit.

Hegseth tha se “sasia e fuqisë së zjarrit mbi Iranin dhe mbi Teheranin do të rritet ndjeshëm”.

Ai shtoi se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’i lejuar SHBA-së të përdorë bazën ushtarake Diego Garcia do ta ndihmojë Uashingtonin të intensifikojë sulmet. shkruan BBC transmeton "Bota sot".

“Ishte për të ardhur keq që britanikët nuk thanë që nga dita e parë: ‘Hej, vazhdoni dhe keni qasje,’” tha Hegseth. “Por më në fund arritëm aty.”

Ndërkohë, Kryeministri Sir Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar po dërgon edhe katër avionë luftarakë Typhoon për t’iu bashkuar skuadriljes britanike në Katar. Sipas kryeministrit, Mbretëria e Bashkuar i ka lejuar SHBA-së të përdorë bazat britanike “për të kryer operacione mbrojtëse”.

Trumpi thotë se Irani është “shkatërruar për një periudhë 10-vjeçare”

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë në një intervistë se Irani është “shkatërruar për një periudhë 10-vjeçare”.

Irani është “shkatërruar për një periudhë 10-vjeçare përpara se të mund ta rindërtojnë atë”, tha presidenti amerikan për ABC News.

Pas raundit të sulmeve të qershorit të kaluar në objektet bërthamore të Iranit, Shtëpia e Bardhë kishte thënë se SHBA-ja kishte shkatërruar tre objekte bërthamore iraniane.

“Dëmtime monumentale u shkaktuan në të gjitha vendet bërthamore në Iran, siç tregohet nga imazhet satelitore”, shkroi Trump në Truth Social në vitin 2025, raporton CNN.

Shefi i IDF: Lufta po hyn në fazën tjetër, do të përfshihen lëvizje të papritura

Shefi i Forcave të Armatosura të Izraelit, IDF, Eyal Zamir ka paralajmëruar se lufta kundër Iranit po kalon në “fazën tjetër” dhe do të përfshijë “lëvizje të papritura”.

Sakaq, ai tha se “Izraeli ka arritur epërsi pothuajse të plotë” në hapësirën ajrore iraniane.

“Tani po kalojmë në fazën tjetër të luftës, në të cilën do të intensifikojmë sulmet kundër themeleve dhe aftësive ushtarake të regjimit. Kemi në dispozicion lëvizje të tjera surprizë që nuk kam ndërmend t’i zbuloj. Forcat tona hapën rrugën për në Teheran brenda 24 orësh dhe shkatërruan 80% të sistemeve të mbrojtjes ajrore”, tha Zamir gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, forcat ajrore izraelite kryen 2,500 sulme dhe hodhën mbi 6,000 municione, duke shtuar se kanë shkatërruar 60% të lançuesve të raketave të Iranit, por nuk i kemi eliminuar të gjitha kërcënimet.

Amerikanët shkatërrojnë aeroplanët dhe depot e municionit të Iranit

SHBA-ja po vazhdon të kryejë sulme ndaj Forcës Ajrore Iraniane, duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe pajisjet ajrore të vendit.

Sipas raportimeve të fundit, disa aeroplanë iranianë janë shkatërruar gjatë këtyre sulmeve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kapacitetin operativ të forcave ajrore.

Në të njëjtën kohë, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në një depot të municionit të Ushtrisë Iraniane në Bushehr.Ky incident ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka rritur tensionet në rajon, ndërsa autoritetet iraniane po përpiqen të vlerësojnë pasojat dhe të sigurojnë zonën përreth.

Ngjarjet e fundit theksojnë rritjen e paqëndrueshmërisë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj regjimit iranian.

Paralajmërim i fortë nga Trump: Pas Iranit, radhën e ka...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se Kuba po përjeton një krizë të thellë ekonomike dhe se ndryshimet politike në ishull është e mundur të ndodhin në një të ardhme të afërt.

Donald Trump për Politico nënvizoi se administrata amerikane ka shtuar presionin ndaj Kubës, përfshirë shtrëngimin e sanksioneve dhe kufizimeve në furnizimet me burime energjetike.

Faktori kyç, sipas tij, ka qenë kriza ekonomike, e përkeqësuar nga ndalimi i furnizimeve me naftë nga Venezuela, duke shkaktuar probleme serioze me karburantin dhe energjinë në vend.

Ai gjithashtu theksoi se “regjimi armiqësor në Kubë nuk do të zgjasë shumë”.

“Kuba gjithashtu do të bie. Ne i ndaluam tërë naftën, tërë paratë, apo, me fjalë të tjera, i ndaluam të gjitha furnizimet që vinin nga Venezuela, e cila ishte burimi i vetëm. Dhe ata duan të negociojnë”, tha ai.

Lideri amerikan gjithashtu konfirmoi se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me udhëheqjen komuniste të Kubës, ndërsa paqëndrueshmëria në ishull po intensifikohet pas kapjes së liderit venezuelas, Nicolas Maduro.

Ndryshe, SHBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë me intensitet të lartë të bombardojnë objektiva të regjimit iranian.

A po i mbarojnë rezervat e raketave Iranit apo po “kursen” për një konflikt më të gjatë?

Zyrtarë perëndimorë i thanë gazetës “Financial Times” se seria e sulmeve izraelito-amerikane ka ndikuar qartë në aftësitë e raketave balistike të Iranit, duke vënë në dukje se frekuenca e lëshimeve ka rënë që nga fillimi i konfliktit të shtunën e kaluar.

Sipas tyre, strategjia e SHBA-së dhe Izraelit për të përdorur avionë ushtarakë për të gjurmuar dhe shkatërruar lëshuesit e raketave dhe rezervat e armëve në tokën iraniane po jep rezultate. Një zyrtar i tha gazetës:

“Po fillojmë të shohim një reduktim të sulmeve me raketa iraniane, dhe kjo për shkak të punës që SHBA-të dhe Izraeli po bëjnë për të shkatërruar këta lëshues dhe për të sulmuar këto sisteme. Megjithatë, ne vlerësojmë se Irani ka ende disa ditë aftësi për të vazhduar aktivitetet e tij.”

Ish-këshilltarja e inteligjencës britanike, Lynette Nussbacher, tha se rënia e lëshimeve mund të jetë për shkak se Irani po has vështirësi teknike. “Komandantët iranianë të raketave ridrejtojnë, furnizohen me karburant dhe lëshojnë sa më shpejt që të munden. Problemi është se ajo që mund të bënin shpejt është bërë më e ngadaltë. Amerikanët dhe izraelitët kanë shkatërruar platformat, raketat dhe karburantin e përdorur,” tha ajo.

Megjithatë, disa analistë sugjerojnë se ulja e shkallës së lëshimeve mund të jetë gjithashtu një strategji e vetëdijshme e Iranit për të ruajtur municionin për një konflikt më të gjatë. Zyrtarët ushtarakë izraelitë përshkruan lëshimet e ngadalta si një “strategji mjegulle”, që synon dobësimin e sistemeve mbrojtëse antiraketë.

Analisti Decker Efleith nga “Qendra për Analiza Detare” theksoi se kjo qasje nuk është zgjedhur, por është e vetmja strategji e mundshme për Iranin, duke pasur parasysh mungesën e platformave të lëshimit dhe vështirësitë për të siguruar hapësirën ajrore. Po ashtu, studiuesi i Universitetit të Oslos, Fabian Hofmann, vlerëson se aftësia e lëshimit të Iranit mund të jetë dëmtuar seriozisht dhe ulja e sulmeve është shumë e ndjeshme për t’u konsideruar thjesht një taktikë.

Me rënien e sulmeve me raketa balistike, Teherani duket se po mbështetet më shumë tek dronët vetëvrasës Shahed, të cilët kanë kosto të ulët, mund të lëshohen nga pothuajse çdo vend dhe janë më pak të prekshëm nga sulmet ajrore izraelito-amerikane.

Sipas të dhënave të Institutit për Studime Strategjike Kombëtare në Tel Aviv, që nga fillimi i konfliktit Irani ka lëshuar 571 raketa dhe 1,391 dronë, shumica e të cilëve janë interceptuar nga sistemet mbrojtëse të SHBA-së, Izraelit dhe Gjirit.

SHBA-ja kërkon ndihmë nga Ukraina, Zelensky i përgjigjet pozitivisht

Ukraina ofron mbështetje për Shtetet e Bashkuara në mbrojtjen kundër “shaheds” në Lindjen e Mesme.

Volodymyr Zelensky njoftoi se Ukraina ka marrë një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë në fushën e mbrojtjes kundër dronëve të tipit “Shahed” në rajonin e Lindjes së Mesme.

Në një deklaratë të fundit, presidenti ukrainas tha se ka dhënë udhëzime të qarta për të siguruar mjetet e nevojshme dhe për të garantuar praninë e specialistëve ukrainas që mund të ofrojnë sigurinë e kërkuar.

Ky veprim tregon gatishmërinë e Ukrainës për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë globale.

Çfarë objektivash ka SHBA-ja në Iran dhe çfarë mund të ndodhë më pas?

Nga: Rel

Shtetet e Bashkuara deklaruan se kanë bërë pozicionimin më të madh të ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme brenda një gjenerate, në kuadër të operacionit “Tërbimi Epik”, që ka në shënjestër Iranin.

Mbi 50.000 trupa ushtarake, 200 aeroplanë luftarakë, dy aeroplanmbajtëse dhe një mori avionësh bombardues me rreze të gjatë veprimi u tha se janë përfshirë në luftë kundër Iranit.

Lufta nisi në koordinim me Izraelin, më 28 shkurt, dhe për pasojë Iranit iu vranë udhëheqës të lartë, si dhe iu dëmtua rëndë infrastruktura ushtarake.

Në shenjë hakmarrjeje, Irani lëshoi dronë dhe raketa balistike në drejtim të Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, përfshirë Bahrejnin, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin. Në disa prej këtyre vendeve, ambasadat amerikane janë mbyllur deri në një njoftim të radhës.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se nuk do të ndalen deri në arritjen e objektivave të tyre. Shtëpia e Bardhë doli me qëndrim të qartë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

Sulmet ajrore godasin kufirin Iran-Irak, SHBA-Izraeli angazhojnë kurdët

Në një përgatitje të mundshme nga SHBA dhe Izraeli për një front të ri, sulmt ajrore goditën pozicione ushtarake, postblloqe dhe stacione policore në pjesët veriore të Iranit pranë kufirit me Irakun.

Zyrtarë amerikanë thanë se mund të ofrojnë mbështetje ajrore nëse luftëtarët kurdë kalojnë kufirin, sipas The Guardian.

Grupet kurde opozitare në Irakun verior janë vënë në gatishmëri pranë kufirit, ndërsa grupet Baloch nga Pakistani janë futur gjithashtu në Iran. Ekspertët paralajmërojnë se përfshirja e grupeve etnike mund të thellojë ndarjet brenda vendit dhe të rrisë rrezikun e luftës civile.

Liderët kurdë iranianë janë kontaktuar nga SHBA dhe disa grupe po bashkohen për të kundërshtuar regjimin e Teheranit. SHBA dhe Izraeli përdorin strategji të njohura, duke kombinuar sulme ajrore me forca lokale. Ndërkohë, autoritetet iraniane paralajmërojnë grupet separatiste kundër përfshirjes në konflikt.

Pjesëmarrja e forcave kurde dhe Baloch mund të shqetësojë edhe Turqinë, Irakun dhe Sirinë, pasiqë popullsia e tyre përmban minoritete kurde. Ndërkohë, qeveria e Rajonit të Kurdistanit të Irakut ruan neutralitetin e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat