LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Azia

LIVE: Një përballje me rrezik të lartë midis rivalëve të fortë - Supertankeri kinez kalon Ngushticën e Hormuzit

Nga: Bota sot Më: 28 mars 2026 Në ora: 14:50 Përditësuar në ora: 16:12 më 18.04.2026
Donald Trump

Irani mbylli sërish Ngushticën e Hormuzit, reagon Trump

Presidenti Donald Trump ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në luftën me Iranin, pasi Teherani ndryshoi vendimin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit gjatë ditës së sotme.

Presidenti amerikan e minimizoi situatën, duke thënë se “po zhvillohen bisedime shumë të mira”.

“Po shkon shumë mirë, ata u treguan pak të zgjuar, siç kanë bërë për 47 vite”, tha Trump.

Ai përsëriti gjithashtu pretendimet se SHBA ka eliminuar kryesisht marinën, forcën ajrore dhe udhëheqjen e vendit.

“Ata donin ta mbyllnin përsëri ngushticën, siç kanë bërë prej vitesh, por nuk mund të na shantazhojnë. Do të kemi disa informacione deri në fund të ditës. Po flasim me ta, ata po mbajnë një qëndrim të fortë”, tha Trump.

Një cisternë dhe një anije kontejnerësh raportojnë sulme

Një anije cisternë në brigjet e Omanit raportohet se është qëlluar nga dy anije luftarake iraniane dhe një anije kontejnerësh është goditur nga një predhë , thotë Qendra e Operacioneve Tregtare Detare e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan BBC.

Ushtria e Iranit thotë se ka mbyllur përsëri Ngushticën e Hormuzit, pasi rihapi rrugën kryesore të transportit detar të premten, në përgjigje të bllokadës së vazhdueshme të SHBA-së ndaj porteve iraniane.

Të dhënat nga faqja e ndjekjes MarineTraffic tregojnë disa cisterna që kalojnë rrugën ujore më herët të shtunën - ja se si ka evoluar situata gjatë 24 orëve të fundit.

Është e vështirë të qëndrosh në hap me atë që po ndodh vërtet në Ngushticën e Hormuzit, shkruan BBC, dhe kjo hedh dyshime mbi pretendimin e Trump për një marrëveshje të afërt.

Diku tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se një ushtar francez u vra në Liban ndërsa merrte pjesë në një mision paqeruajtës - në një deklaratë, UNIFIL thotë se një nga patrullat e saj "u qëllua me armë të vogla nga aktorë jo-shtetërorë".

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po flet tani, ndërsa nënshkruan urdhra ekzekutivë në Zyrën Ovale, por mund të përmendë Ngushticën e Hormuzit, transmeton kp.

Dje, Irani hapi Ngushticën e Hormuzit për anijet tregtare Ngushtica e Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi globale për industrinë energjetike, ka qëndruar e mbyllur që nga fillimi i sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit (28 shkurt). Por, sot raportohet se është mvyllur përsëri. 

Vritet paqeruajtësi francez i OKB-së, 3 të tjerë plagosen në Liban. Izraeli pranon sulmet pas armëpushimit

Një ushtar francez u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban, tha presidenti Emmanuel Macron.

Në një postim në në X ai tha se “gjithçka tregon se Hezbollahu është përgjegjës për këtë sulm” dhe u kërkoi autoriteteve libaneze të arrestonin autorët.

Kryeministri i Libanit, Navaf Salam, denoncoi sulmin ndaj anëtarëve të kontingjentit francez të forcës paqeruajtëse të OKB-së UNIFIL dhe urdhëroi një hetim të menjëhershëm.

Ndërkohë Izraeli ka pranuar sulmet pas armëpushimit në Liban. Ushtria izraelite thotë se forcat e saj kanë kryer sulme të shumta, duke përfshirë zjarr artilerie dhe sulme ajrore, në Libanin jugor që kur armëpushimi hyri në fuqi.

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se kreu sulmet në përgjigje të luftëtarëve që po i afroheshin zonave ku ushtarët izraelitë janë ende të stacionuar në Libanin jugor, duke pretenduar se ata përbëjnë "një kërcënim".

“Veprimet e ndërmarra në vetëmbrojtje dhe për të larguar kërcënimet e menjëhershme nuk kufizohen nga armëpushimi”, tha ushtria.

Siç raportuam më parë, sulmet e artilerisë izraelite sot kanë goditur qytetet jugore libaneze të Beit Leif, Qantara dhe Touline, ndërsa ushtria izraelite ka vazhduar të shkatërrojë shtëpitë në disa zona.

Tensionet SHBA–Iran/ Trump paralajmëron marrjen e uraniumit me çdo kusht, por me marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA do të sigurojë rezervat e uraniumit të pasuruar të Iran “në një mënyrë ose në një tjetër”, duke paralajmëruar se procesi mund të bëhet më armiqësor nëse negociatat mes dy vendeve dështojnë.

Në një intervistë për CBS, Trump u shpreh se nuk do të ketë nevojë për trupa amerikane në terren, duke theksuar se një marrëveshje do ta bënte të panevojshme përdorimin e forcës. “Ne do ta marrim dhe do ta bëjmë së bashku, sepse deri atëherë do të kemi një marrëveshje”, tha ai.

Megjithatë, gjatë një tubimi në Arizona, Trump përsëriti qëndrimin e tij, duke përdorur termin “pluhur bërthamor” për t’iu referuar uraniumit të pasuruar – një term që nuk njihet në industrinë bërthamore.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë iranian i hodhi poshtë deklaratat e Trump, duke i cilësuar si “fakte alternative”. Ai mohoi se Irani ka rënë dakord të dërgojë rezervat e tij të uraniumit në SHBA dhe theksoi se vendi nuk do të pranojë kurrë të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.

Sipas burimit, çështja e pasurimit mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në negociatat mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit.

Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit

Irani ka tërhequr vendimin e një dite më parë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e mbyllur sërish, për shkak të vazhdimit të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara ndaj porteve iraniane, sipas agjencisë së lajmeve Fars, e cila është e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike.

Një zëdhënës i shtabit qendror Khatam al-Anbiya, i cili është pjesë e strukturës së komandës së unifikuar të ushtrisë iraniane, tha se kontrolli mbi ngushticën është “kthyer në gjendjen e mëparshme” dhe sërish është nën menaxhim të rreptë ushtarak.

Ebrahim Zulfaqari tha se Teherani më herët kishte pranuar “me qëllime të mira” të lejonte kalim të kufizuar për cisternat e naftës dhe anijet tregtare gjatë armëpushimit, por “fatkeqësisht, amerikanët… vazhdojnë të përfshihen në pirateri… nën të ashtuquajturën ‘bllokadë’”.

Irani e kishte rihapur rrugën më 17 prill pas javësh ndërprerjesh pothuajse totale, një veprim i mirëpritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili megjithatë tha se bllokada detare e vendit të tij ndaj porteve iraniane do të mbetej në fuqi.

Më 11-12 prill, nënpresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi një delegacion në bisedime me zyrtarë të lartë iranianë në Islamabad. Ato bisedime u ndërprenë pa marrëveshje dhe me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për dështimin.

Në komentet e tij të 17 prillit, Trump hodhi poshtë sugjerimin se mosmarrëveshje të mëdha mbeten në negociata.

“Nuk mendoj se ka shumë dallime të mëdha”, tha ai. “Nëse ka, unë do ta rregulloj”.

Sa i përket kohës sa do të ishte i gatshëm të mbante një bllokadë të porteve iraniane të lidhura me bisedimet, Trump tha se ajo do të hiqej menjëherë sapo të arrihej një marrëveshje.

“Kur marrëveshja të nënshkruhet, bllokada përfundon”, tha ai.

Ndërkohë, Mahmud Nabavian, anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të parlamentit iranian, tha se negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të çojnë askund dhe se Teherani do të vazhdojë luftën deri në “humbjen e plotë të Trumpit dhe Netanyahut”.

Nabavian, i cili shoqëroi delegacionin negociator iranian në Islamabad, tha në një fjalim në Arak drejtuar “disa zyrtarëve” më 17 prill vonë se “përgjegjësia për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit i takon vetëm Marinës së IRGC-së dhe askush nuk do të ketë të drejtë të ndërhyjë”.

Ligjvënësi nuk i përmendi me emër zyrtarët të cilëve iu referua, por ai më parë ka bërë deklarata në media të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe në rrjete sociale, tonin dhe përmbajtjen e të cilave e kanë dalluar nga ato të anëtarëve kryesorë të ekipit negociator të Iranit me Shtetet e Bashkuara.

Që kur ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapej më 17 prill, ka dalë një valë kundërshtimi dhe kritikash nga fraksionet e ashpra brenda qeverisë ndaj ekipit negociator dhe zhvillimeve e vendimeve të shpallura, duke thelluar ndarjet e brendshme politike.

Në një pjesë tjetër të fjalimit të tij, Nabavian tha se një masë ishte miratuar në komisionin parlamentar të sigurisë sipas së cilës Irani do të bllokonte kalimin e anijeve ushtarake amerikane përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ai shtoi se do të ndalohej gjithashtu kalimi i anijeve nga çdo vend që “i jep baza armikut”.

Masat e miratuara nga komisionet parlamentare duhet ende të votohen në një seancë plenare të parlamentit, pastaj të dërgohen në Këshillin e Gardianëve dhe, pas miratimit përfundimtar, të shpallen zyrtarisht nga presidenti para se të hyjnë në fuqi si ligj./REL

Kthehet në normalitet trafiku detar në Gjirin Persik, 20 anije përshkojnë pa probleme Ngushticën e Hormuzit

Një grup prej rreth 20 anijesh, duke përfshirë anije cisterna, anije kontejnerësh dhe transportues mallrash të tjerë, u panë duke lëvizur në Gjirin Persik sonte, duke u drejtuar drejt daljes nga Ngushtica e Hormuzit, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi njoftoi më herët se Ngushtica po hapej, pas marrëveshjes së armëpushimit në Liban.

Sipas agjencisë saudite të lajmeve SPA, Ministri i Jashtëm saudit Princi Faisal bin Farhan dhe homologu i tij amerikan Marco Rubio patën sot një bisedë telefonike gjatë së cilës diskutuan përpjekjet për ta mbajtur Hormuzin të hapur dhe për të stabilizuar situatën në Liban.

Ministri i Financave i Arabisë Saudite Mohammed Al-Jadaan mirëpriti lajmin se Irani do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar dërgesat e naftës dhe gazit, por paralajmëroi se situata në Lindjen e Mesme mbeti shumë e brishtë. Al-Jadaan, i cili kryeson Komitetin Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC) dhe këshillon Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se disa vende do të jenë në gjendje të rivendosin prodhimin e tyre të naftës shpejt, por të tjerat do të kenë nevojë për më shumë kohë, varësisht nga shkalla e dëmit që pësuan.

Sfida më e madhe nuk është se sa mund të rritet prodhimi i naftës dhe gazit, por nëse kompanitë e sigurimeve do të ndihen rehat duke mbështetur dërgesat, si dhe çështje të tjera logjistike, tha zyrtari saudit, duke folur me gazetarët gjatë takimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington.

Trump jep afatin e ri për Iranin: Marrëveshja aktuale mund të përfundojë nëse nuk gjendet zgjidhje deri të mërkurën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se mund t’i japë fund armëpushimit me Iranin, nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje afatgjatë për t’i dhënë fund luftës.

“Mund të mos e zgjas armëpushimin.

Por bllokada në portet iraniane do të mbetet”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One, duke u kthyer në Uashington nga Phoenix.

“Pra, ka një bllokadë dhe për fat të keq duhet të fillojmë të hedhim bomba përsëri”, tha presidenti.

Bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e negociatave me Iranin

Çmimet e naftës kanë rënë mbi 10% brenda më pak se dy orësh, pasi Ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e hapur” për pjesën e mbetur të armëpushimit me SHBA-në.

Në një deklaratë në X, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, bëri të ditur se ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e hapur”, në përputhje me armëpushimin në Liban.

Pas këtij njoftimi, tregjet globale të energjisë reaguan menjëherë.

Nafta WTI ka rënë me më shumë se 12% në rreth 82 dollarë për fuçi, ndërsa Brent ka rënë me 10% në rreth 88 dollarë për fuçi. / Burimi: Euro News

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka mirëpritur njoftimin, duke theksuar se bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e negociatave me Iranin.

Ai ka deklaruar gjithashtu se shumica e pikave të marrëveshjes janë dakorduar dhe procesi mund të përmbyllet shpejt, ndonëse ende nuk janë bërë publike detajet.

Pas lajmit, edhe bursat amerikane kanë shënuar rritje, me S&P 500 dhe Nasdaq në nivele rekord, ndërsa Dow Jones është rritur mbi 1.7%.

Irani hap Ngushticën e Hormuzit për anijet komerciale gjatë armëpushimit

Nga: Bota sot

Irani ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më strategjike të tregtisë globale të naftës dhe gazit, do të mbetet e hapur për të gjitha anijet komerciale gjatë periudhës së mbetur të armëpushimit.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili tha se vendimi është në përputhje me armëpushimin mes Izraelit dhe Libanit.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi i të gjitha anijeve komerciale përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë e Republikës Islamike të Iranit,” shkroi Araghchi në platformën X.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga arteriet më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës, duke e bërë çdo zhvillim në këtë zonë me rëndësi të lartë gjeopolitike dhe ekonomike.

Shënjestrohet me dronë ambasada izraelite në Londër? Policia britanike nis hetimet

Policia britanike tha të premten se po hetonte një incident sigurie pranë ambasadës së Izraelit në Londër, pasi oficerët gjetën një numër objektesh të hedhura në zonën përreth, gjë që çoi në rritjen e pranisë policore.

Në deklaratë thuhej se njësia e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër ishte në dijeni të një videoje të shpërndarë gjatë natës në internet, në të cilën një grup pretendonte se kishte shënjestruar ambasadën me dronë që mbanin substanca të rrezikshme.

Deklarata shtoi se ambasada nuk ishte sulmuar dhe se hetimet urgjente ishin në vazhdim.

“Nuk besojmë se në këtë fazë ka ndonjë rrezik të shtuar për sigurinë publike,” thuhej në deklaratë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat