Pesë persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri të shërbimit mjekësor në ishullin Borneo, në Malajzi.
Helikopteri u rrëzua pranë pistës ajrore Long Lellang, në veri të Sarauakut, një zonë e thellë dhe e vështirë për t’u aksesuar. Në bord ndodheshin piloti dhe katër punonjës të shëndetësisë, të cilët po udhëtonin në kuadër të shërbimit “Flying Doctor”.
Autoritetet malajziane nxorën të mërkurën trupat e pajetë të viktimave, ndërsa ka nisur procesi zyrtar i identifikimit. Shkaqet e aksidentit ende nuk janë përcaktuar.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe kushtet atmosferike në zonë. Sarauaku është përfshirë javët e fundit nga mjegulla e dendur, e lidhur me tymin e zjarreve pyjore në Indonezinë fqinje.
Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin spekulimet derisa hetimi të përfundojë.
Autoritetet kanë garantuar mbështetje për familjarët e viktimave, ndërsa qeveria e Sarauakut ka njoftuar edhe ndihmë financiare dhe mbulim të tarifave të shkollimit për fëmijët e personave që humbën jetën në aksident.