Will Smith e Jada Pinkett Smith: flakët përfshijnë një depo në pronën e tyre në Calabasas

Bota e Yjeve

Will Smith e Jada Pinkett Smith: flakët përfshijnë një depo në pronën e tyre në Calabasas

Nga: Bota sot Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 08:23
Will Smith e Jada Pinkett Smith

Një zjarr ka shpërthyer pak pas mesnate të së hënës në pronën e Will Smith dhe Jada Pinkett Smith në Calabasas, në Kaliforni. Flakët kanë përfshirë një depo mirëmbajtjeje, ndërsa autoritetet thonë se nuk ka të lënduar dhe se zjarri u shua shpejt.

Sipas një deklarate të Departamentit të Sherifit të Los Angeles County, thirrja u mor në orën 00:04 sipas kohës lokale, pasi personeli i sigurisë raportoi se një depo mirëmbajtjeje ishte në flakë. Zjarrfikësit mbërritën dhe e shuan zjarrin, ndërsa shkaku është cilësuar aksidental.

Asnjë strukturë tjetër nuk u dëmtua, sipas një deklarate që iu dha Page Six. Video e publikuar nga ky portal tregon automjete emergjence që hyjnë përmes portave të pronës, ndërsa tymi ngrihej mbi territor. Sipas FOX 13, flakët ishin shuar deri në orën 00:49.

Nuk është e qartë nëse Will Smith, 58 vjeç, dhe Jada Pinkett Smith, 55 vjeç, ndodheshin në shtëpi gjatë zjarrit, ndërsa përfaqësuesit e tyre nuk e kanë komentuar publikisht incidentin.

Prona, e vlerësuar rreth 42 milionë dollarë, shtrihet në rreth 150 akra (afro 60 hektarë) në malet e Santa Monicas dhe ka një rezidencë prej 25.000 këmbësh katrore (rreth 2.300 metra katrorë), sipas Architectural Digest, që e vizitoi në vitin 2011.

Nuk është incidenti i parë i tillë: në shtator të vitit 2021, një zjarr kishte shpërthyer në bodrumin e shtëpisë kryesore, duke lënë dëme nga tymi. Vetëm dy ditë para zjarrit të së hënës, çifti ishte fotografuar në një dalje të rrallë familjare në Malibu, me fëmijët dhe nënat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat