Aktorja Elizabeth Debicki ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj elegante në premierën evropiane të filmit të ri “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, të mbajtur të hënën në Londër.
Ylli i serialit “The Crown” u shfaq në tapetin e kuq të BFI IMAX me një fustan elegant në ngjyrë blu të gjelbër, me dekolte të theksuar, jakë të lirshme dhe një fund të gjatë që zgjatej pas saj.
Debicki zgjodhi një stil glamuroz, duke tërhequr vëmendjen e fotografëve dhe të pranishmëve në këtë ngjarje, e cila shënoi premierën evropiane të produksionit më të ri të Netflix-it, shkruan Daily Mail, transmeton "Bota sot".
Ndërkohë, në premierë mungoi protagonisti kryesor i filmit, Brad Pitt, i cili ishte detyruar të anulonte pjesëmarrjen për shkak të gripit.
Aktori 62-vjeçar ishte paraparë të merrte pjesë në shfaqjen premierë së bashku me regjisorin David Fincher, por organizatorët njoftuan se ai nuk mund të udhëtonte për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Brad nuk do të mund të marrë pjesë në premierë, pasi është prekur nga gripi dhe i është këshilluar të mos udhëtojë”, thuhej në njoftimin e organizatorëve.
Në filmin e ri, Pitt rikthehet në rolin e Cliff Booth, personazhit të kaskaderit që e interpretoi edhe në filmin “Once Upon a Time in Hollywood”, rol për të cilin fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor.
Megjithëse mungesa e tij ishte një nga zhvillimet kryesore të mbrëmjes, Elizabeth Debicki arriti të jetë ndër figurat më të spikatura të premierës me paraqitjen e saj në tapetin e kuq.