Një fillim i ri në marrëdhëniet ndër-atlantike?

Bota

Një fillim i ri në marrëdhëniet ndër-atlantike?

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 21:25
Josep Borrell

Bashkimi Evropian po përpiqet ta shfrytëzojë ardhjen së shpejti të administratës Biden si moment kyç për një fillim të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas katër vjet tensionesh nën Presidentin Donald Trump.

Me një seri nismash, blloku prej 27 vendesh po përpiqet të rindezë frymën e bashkëpunimit trans-Atlantik që i ka dhënë drejtim prej një kohe të gjatë diplomacisë globale. Por BE-ja pranon gjithashtu se marrëdhëniet e ardhshme do të duhet të përshtaten me një botë shumë-polare ku Kina po bëhet një aktore gjithnjë e më e madhe.

"Është koha për t'u rilidhur," tha të mërkurën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

BE-ja duket e kënaqur që po lë pas vitet e Presidentit Trump, i cili i kritikonte aleatët evropianë se përfitonin nga ombrella amerikane e mbrojtjes dhe e sigurisë, ndërsa nxirrnin avantazhe ekonomik përmes subvencioneve dhe taktikave të tjera tregtare.

"Le të shohim përpara, jo prapa. Le të rinovojmë marrëdhënien tonë,” tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. Të dyja palët përballen me sfida të mëdha, duke përfshirë mposhtjen e pandemisë së koronavirusit dhe frenimin e ndryshimeve të klimës.

Gjatë katër viteve të kaluara, Kina dhe Rusia kanë dalë në plan të parë, duke krijuar një botë shumë-polare, në të cilën BE-ja po kërkon partnerin më të fortë të mundshëm.

Partnerët e BE-së po kërkojnë një ndryshim nga kredoja e Presidentit Trump për t’i bërë punët vetëm. Ata shpresojnë kalimin përsëri në një qasje shumëpalëshe për t’i trajtuar më mirë krizat globale.

"Është një mundësi që na vjen një herë në gjeneratë,” thuhet në një dokument strategjik të publikuar nga zoti Borrell të mërkurën. Për të forcuar këtë bashkëpunim, BE-ja e ka ftuar zotin Biden të vizitojë Brukselin në rastin më të parë vitin e ardhshëm. Përtej vetë BE-së, Gjermania dhe Franca janë treguar gjithashtu mirëpritëse ndaj presidentit të zgjedhur të SHBA.

Përsa i përket pandemisë së koronavirusit, BE-ja po bën thirrje që Shtetet e Bashkuara të kthehen në mbështetje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilën zoti Trump e braktisi në fillim të këtij viti.

Presidenti Trump gjithashtu e nxori Uashingtonin nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe BE-ja dëshiron që zoti Biden ta rikthejë Amerikën në atë grup. Megjithatë, BE-ja e kupton plotësisht se qëllimet e saj mund të mos përputhen menjëherë me realitetin për çështjet e tjera, siç janë ato tregtare.

Edhe pse BE-ja do të dëshironte të intensifikonte kontaktet përpara inaugurimit të zotit Biden më 20 janar, procesi i konfirmimit në Senatin amerikan për kabinetin e ardhshëm e bën të vështirë diskutimin tani për tani të hollësive diplomatike. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat