Anketë e New York Times-it me 700 epidemiologë: Ja kur do të kthehemi në normalitet

Bota

Anketë e New York Times-it me 700 epidemiologë: Ja kur do të kthehemi në normalitet

Nga: B.S. Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 13:32
Epidemia Covid-19 (Ilustrim)

Gjysma e epidemiologëve, të cilët kanë marrë pjesë në një anketë të bërë nga New York Times, kanë thënë se nuk do të ndryshonin sjelljen e tyre, dmth nuk do të heqin dorë nga masat që iu përmbahen për t'u mbrojtur nga virusi, derisa të vaksinohen 70% e popullsisë.

30 përqind të tjerë të tyre kanë thënë se do të "zbusnin" disa masa kur të marrin vetë vaksinën. Në të njëjtën kohë, shumica e tyre besojnë se edhe me vaksinat, do të duhet një vit dhe mbase më shumë para se jeta të kthehet në normalitet.

New York Times zhvilloi një sondazh midis 700 epidemiologëve, duke i pyetur, ndër të tjera, në lidhje me aktivitetet që kishin, ose do të ishin gati të bënin, në 30 ditët e fundit.

Rezultatet tregojnë se shumica e të anketuarve ishin të gatshëm të pranonin vetëm tri gjëra - të shkonin në dyqan ushqimesh ose farmaci (90 përqind), të merrnin postë pa masa paraprake (72 përqind) dhe të merrnin pjesë në aktivitete fizike jashtë me miqtë (62 përqind).

Në të njëjtën kohë, pothuajse të gjithë të anketuarit shmangnin shkuarjen në ngjarje sportive, koncerte, dasma, funerale, si dhe shoqërimin me njerëzit që nuk i njihnin.

Gjithashtu, më pak se dhjetë përqind e epidemiologëve që plotësuan sondazhin ishin të gatshëm të vizitonin kisha, të ushtronin brenda, të udhëtonin me aeroplan, të punonin në një zyrë që ndanin me kolegët, të shtrëngonin duart dhe të përqafoheshin me miqtë.

Epidemiologët janë gjithashtu të kujdesshëm kur bëhet fjalë për të vizituar restorante (vetëm 12 përqind e tyre kanë drekuar në një lokal të mbyllur), si dhe kur bëhet fjalë për të shkuar në parukeri (29 përqind) dhe për të marrë transport publik (11 përqind).

Të pyetur se si do t'i kalonin festat e ardhshme, tre të katërtat e epidemiologëve thanë ose se nuk do t'i festonin fare ose se do të ishin vetëm në mesin e anëtarëve të familjes së tyre. Krahasuar me të njëjtin sondazh që New York Times-i zhvilloi gjatë pranverës, disa epidemiologë tani kanë më pak frikë nga shoqërimi jashtë, prekja e sipërfaqeve dhe dërgimi i fëmijëve në shkollë, por në të njëjtën kohë ata janë më të shqetësuar për transmetimin e virusit në ambient të mbyllur.

Si të kujdesemi për fëmijët?

Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me fëmijët, shumica e epidemiologëve thonë se ata nuk janë ose nuk do të ishin të gatshëm t'i dërgojnë fëmijë në kopsht (74 përqind), pastaj t'ua lejojnë fëmijët të mblidhen me miqtë jashtë (74 përqind), ndërsa 94 përqind do t'i lejonin fëmijët të shoqërohen me bashkëmoshatarët brenda.

Situatat më të rrezikshme për infeksion

New York Times ka përpiluar një listë të aktiviteteve që duhet të shmangen në mënyrë që të minimizohet rreziku i infektimit. Lista është bërë në bazë të përgjigjes së epidemiologëve dhe nënkupton para së gjithash qëndrimin në ambiente të mbyllura ku ka njerëz që nuk mbajnë maskë, pastaj qëndrimin më të gjatë brenda edhe kur të gjithë mbajnë maska. "Mos hani në ambient të mbyllur ose në shtëpinë e një shoku. Mos kini kontakt të ngushtë pa maskë askund, madje edhe jashtë. Nëse duhet të fluturoni, përpiquni të mos hani ose pini në aeroplan. Nëse shkoni në punë, mos hani drekë në të njëjtën dhomë me kolegët tuaj. Vaktet e përbashkëta kanë çuar në shfaqjen e pikave të nxehta në spitale," shkruan New York Times. Gazeta shton se "Maskat nuk janë perfekte", dhe se mbrojtja më e sigurt është të shmangni kontaktet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat