Guterres: Bota duhet të deklarojë emergjencën klimatike

Bota

Guterres: Bota duhet të deklarojë emergjencën klimatike

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 17:55
António Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, iu ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të deklarojnë emergjencë klimatike.

Ai këtë deklaratë e ka bërë në një samit virtual në përvjetorin e pestë të Marrëveshjes Klimatike të Parisit.

I pari i OKB-së i ka kritikuar vendet e pasura që kanë shpenzuar më shumë se 50 përqind të parave të tyre për rimëkëmbje pas pandemisë në lëndët djegëse fosile krahasuar me energjinë me karbon të ulët.

Më shumë se 70 liderë botërorë pritet të flasin në takimin e organizuar nga Britania e Madhe, Kombet e Bashkuara  dhe Franca.

Guterres tha se 38 vende tashmë kanë shpallur emergjencën klimatike, derisa ka ftuar edhe udhëheqësit e tjerë botërorë që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Ai ka deklaruar se emergjenca do të mund të përfundojë vetëm kur të arrihet neutralizimi i karbonit, transmeton Klan Kosova.

Për paratë e shpenzuara nga buxheti për rimëkëmbje pas pandemisë COVID-19, ai ka thënë se këto janë para që po merren borxh nga gjeneratat e ardhshme.

“Ne nuk mund t’i përdorim këto resurse për t’i bllokuar në politika që rëndojnë brezat e ardhshëm me një mal me borxhe në një planet të shkatërruar”, ka thënë ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vlerësoi ato vende që kishin ardhur në takimin e sotëm me synime dhe plane të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat