Më shumë gazetarë të vrarë qëllimisht në 2020-n - Bilanci vjetor i "Reporterëve pa kufij"

Bota

Më shumë gazetarë të vrarë qëllimisht në 2020-n - Bilanci vjetor i "Reporterëve pa kufij"

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 12:34
Burra afganë falen para arkivolit të viktimës, Malalai Maivand, gazetares që u qëllua për vdekje më 10 dhjetor 2020 nga të panjohur

Sipas "Reporterëve pa kufij" janë vrarë këtë vit të paktën 50 gazetarë në botë, vrasje që lidhen drejtpërdrejt me punën e tyre. Gjithnjë e më shpesh njerëzit e mediave vihen qëllimisht në shënjestër, sipas organizatës.

Ishte një telefonatë e shkurtër përmes Zoom. Najib Sharifi, drejtues i "Komitetit të Sigurisë të Gazetarëve Afganë", një organizatë joqeveritare dukej i lodhur, javët e shkuara kanë qenë të vështira. "Më duket, se asnjëherë nuk ka qenë kaq frikësuese, si këtë moment. Sepse duket, sikur të gjithë gazetarët janë në rrezik", thotë Sharif. "Brenda gjashtë javësh kemi humbur katër gazetarë."

Najib Sharifi nuk është i vetmi që e ka këtë frikë. Viti 2020 ka qenë një vit vrastar për gazetarët në të gjithë botën, siç bën të ditur organizata "Reporterët pa kufij" në bilancin e saj vjetor. Në mesin e dhjetorit kjo organizatë publikoi pjesën e parë të raportit vjetor mbi gazetarët e burgosur, të rrëmbyer apo të zhdukur. Në pjesën e dytë bëhet fjalë për gazetarët e vrarë. Vërtet që numri i gazetarëve të vrarë këtë vit, me 50 viktima, është pak më i ulët se vitin e kaluar, por "Reporterët pa kufij" janë të shqetësuar shumë, sepse vrasjet kanë qenë të qëllimshme.

Në nëntor u vra në Afganistan gazetari Mohamad Alijas Daji nga Radio Asadi, programit afgan të radios amerikane Radio Free Europe nga një bombë, që ishte vendosur nën automjetin e tij. Para afër dy javësh po në Afganistan u vra po ashtu me qëllim gazetarja Malala Maivand, që ishte angazhuar për mbrojtjen më të mirë të gazetarëve. Maivand ishte një nga dy gazetaret femra që u vranë këtë vit për shkak të punës së tyre. Me ekzekutimin e Ruhollah Samit në Iran më 12 dhjetor u vu në zbatim për herë të parë pas 30 vjetësh dënimi me vdekje ndaj një njeriu të medias. Numri i gazetarëve të vrarë me qëllim është në mënyrë të frikshme i lartë. Në vitin 2020, 42 gazetarë u vranë me qëllim, 20% më shumë se vitin e kaluar.

Image
Michael Rediske

Paqe e gënjeshtërt

Nuk janë më zonat e luftës apo krizave, ku gazetarët lenë jetën. Në vitin 2020 mjaft gazetarë janë vrarë në vende, ku zyrtarisht sundon paqja. Këtu renditen Meksika dhe India, dy nga vendet më të rrezikshme për gazetarët. Në të dyja këto vende janë kryer vrasje të tmerrshme ndaj gazetarëve. Ata janë djegur të gjallë, janë prerë në copa apo iu është prerë koka.

Një aspekt tjetër që përmendet është se shumë nga gazetarët e vrarë kanë qenë duke kryer punë investiguese për tema të ndjeshme si korrupsioni apo kriminaliteti i organizuar. Por edhe raportimi mbi tema mjedisore, si gërmimet ilegale në miniera e ka vënë në rrezik jetën e tyre. Shpesh vrasjet mbesin të pazbardhura. Në Honduras për shembull u vranë tre gazetarë. Në asnjë nga rastet nuk janë ndërmarrë hetime serioze.

Image
Të afërm e miq të gazetarit të vrarë në Honduras, Luis Almendares (28.09.2020)presin për trupin e viktimës

Zëdhënësi i bordit të organizatës "Reporterë pa kufij", Michael Rediske thotë se "të raportosh në mënyrë kritike për korrupsionin, mafian apo shkatërrimin e mjedisit është në shumë vende një punë me rrezik jete për gazetarët." Sipas Rediske "në vende si Meksika, Iraku, apo Pakistani, kriminelë të fuqishëm, grupe ekstremiste apo pjesërisht edhe politikane apo politikanë të korruptuar akoma mund të presin që të shpëtojnë pa u ndëshkuar për krime të tilla. Këto vrasje nuk godasin asnjëherë vetëm viktimat e drejtpërdrejta. Çdo vrasje e një gazetareje apo gazetari është sulm ndaj të drejtës të të gjithë njerëzve për t'u informuar të lirë dhe të pavarur."

Për Najib Sharifi dhe kolegët e tij nga organizata "Komiteti i Sigurisë së Gazetarëve Afganë" është problem i madh që shpesh nuk mund t'u venë emrin autorëve të vrasjeve. Në të shkuarën ishin talibanët apo i ashtuquajturi Shteti Islamik që fshiheshin pas atentateve, por që nga fillimi i negociatave të paqes, talibanët shpesh po distancohen nga sulmet. "IS-i disa herë ka pranuar disa sulme, por kjo e gjitha është e paqartë", thotë Sharifi.

Corona si rrezik shtesë

Këtë vit për gazetarët është shtuar një rrezik i ri: virusi Corona. Që në pjesën e parë të bilancit vjetor, "Reporterët pa kufij" kanë raportuar për burgosje të gazetarëve për shkak të raportimit kritik për masat e Corinës. Disa gazetarëve burgu u kushtoi jetën.

Image
Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët

Nga ana tjetër në të gjithë botën, qindra gazetarë ndërruan jetë pas infektimit nga virusi, por megjithatë nuk mund të provohet qartë, nëse ata janë infektuar me virusin në ambientin privat apo gjatë punës. Në tre raste kjo organizatë është "gati e sigurtë", që gazetarët ndërruan jetë, sepse u burgosën për shkak të punës së tyre, dhe me shumë gjasë u infektuan me virusin në burg. Këtu bën pjesë Mohamed Monir, që ishte i burgosur në Egjipt dhe Saleh al-Shehi, që në Arabinë Saudite punonte për gazetën ditore Al-Vatan. Të dy këta gazetarë, shkruan organizata, pak para vdekjes u liruan papritur dhe me nxitim nga burgu. Monih që para lirimit ishte testuar pozitivisht me virusin, kurse gjendja e Al-Shehis u përkeqësua dhe ai u trajtua disa ditë në repartin intensiv. Nuk dihet, nëse ai vdiq vërtet nga Covid-19. Mediat lokale mendojnë kështu, por sipas organizatës nuk mund të konfirmohet plotësisht, "për shkak se autoritetet saudite bllokojnë."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat