OKB: Të paktën 18 persona janë vrarë në protestat në Mianmar

Bota

OKB: Të paktën 18 persona janë vrarë në protestat në Mianmar

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

Të paktën 18 persona janë vrarë të dielën në Mianmar, ku po mbahen protesta kundër puçit ushtarak. Kështu tha zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

“Përgjatë ditës, në disa lokacione në mbarë vendin, policia dhe forcat ushtarake kanë konfrontuar protestuesit paqësorë, duke përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak vdekjeprurëse, thuhet në informacionet e besueshme që ka marrë Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së. Të paktën 18 persona kanë vdekur dhe mbi 30 janë lënduar”, tha kjo zyre.

Përveç që ka shtënë në drejtim të protestuesve, policia dhe ushtria raportohet se kanë përdorur granata të tymit dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Në Mianmar – që ndryshe njihet edhe si Birmani – që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, qindra-mijëra persona kanë dalë në protesta për ta kundërshtuar marrjen e pushtetit nga ushtria.

Ushtria pretendon se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ku ka shënuar fitore bindëse partia e lideres de fakto të këtij shteti, Aung San Suu Kyi.

Puçi ushtarak ka ndërprerë përpjekjet drejt demokracisë të Mianmarit, që ka qenë nën sundimin ushtarak për 50 vjet.

Pas marrjes së pushtetit, ushtria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se kjo masë do të zgjasë një vit dhe pas kësaj do të mbahen zgjedhjet e reja.

Më herët gjatë kësaj jave, junta ushtarake kishte paralajmëruar protestuesit në Mianmar që të mos protestojnë sepse në të kundërtën, siç tha junta, ata do të përballen me forcë vdekjeprurëse.

Për shkak të puçit dhe dhunës së ushtruar ndaj protestuesve, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka sanksionuar dhjetëra udhëheqës të puçit ushtarak. Sanksionet, përveç zyrtarëve të ushtrisë kanë për cak edhe disa kompani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat