​Navalny në një koloni dënimi 200 kilometra larg Moskës

Bota

​Navalny në një koloni dënimi 200 kilometra larg Moskës

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 18:26
Lideri kryesor i opozitës ruse Alexei Navalny

Lideri kryesor i opozitës ruse Alexei Navalny u dërgua në një zonë rreth 200 kilometra në lindje të Moskës, ku ai do të vuajë një dënim prej dy vjet e gjysmë në një nga kolonitë e dënimit.

Vendndodhja e Navalny, kundërshtari më i njohur i presidentit Vladimir Putin, nuk dihet që nga e enjtja, kur ai u mor nga burgu i Moskës, ku ishte që nga arrestimi më 17 janar.

Shërbimi i burgut nuk ka lëshuar ende informacion se ku ndodhet Navalny tani.

Autoritetet deklaruan sot se Navalny do të vihet në karantinë për disa kohë për herë të parë dhe se ai do të transferohet në një nga kolonitë e dënimit në rajonin Vladimir, raporton AFP.

Agjencitë TASS dhe RIA Novosti njoftuan se Navalny do të transferohej në "Koloninë e dënimit numër dy" në qytetin e vogël të Pokrov në rajonin Vladimir, në pjesën evropiane të Rusisë.

Mediat ruse deklarojnë se rreth 800 të burgosur po vuajnë dënimin e tyre në këtë koloni dhe se "rregullat e zakonshme" zbatohen, që do të thotë se kushtet e burgut janë më të rrepta.

Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të opozitës, Leonid Volkov, shkroi në Twitter se nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga shërbimi i burgut për fatin e Navalny dhe se të afërmit dhe avokatët e tij nuk ishin informuar për asgjë, gjë që ndodh shpesh në Rusi kur transferohet një i dënuar në një burg.

Kolonitë penale ruse janë një vazhdim i ish- "golgotave" në Bashkimin Sovjetik dhe shoqërohen nga një reputacion shumë i keq - nga pretendimet se të burgosurit trajtohen keq, që ambientet atje janë shumë të papastra, deri në torturat e përhapura.

Shumica e të dënuarve në Rusi po vuajnë dënimet e tyre në kampe të tilla, disa prej të cilave janë shumë larg nga qytetet dhe ku puna e të burgosurve është e detyrueshme, kryesisht në punëtori për qepje ose për të bërë mobilie, shton France Press.

Navalny, 44-vjeç, u arrestua më 17 Janar, menjëherë pasi u kthye nga Gjermania, ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi për pesë muaj, për të cilën ai akuzon Kremlinin.

Autoritetet ruse hedhin poshtë këto pretendime dhe akuzojnë Navalny për bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës perëndimore.

Në shkurt, një gjykatë në Moskë e dënoi Navalny me dy vjet e gjysmë burg, duke ndryshuar dënimin e tij me kusht nga dhjetori 2014 në një dënim me burg, pasi “ai nuk raportoi me kohë tek autoriteti kompetent ndërsa ishte duke u rikuperuar nga helmimi në Gjermani”.

Arrestimi i Navalny çoi në një valë protestash nga dhjetëra-mijëra njerëz në të gjithë Rusinë, në më shumë se 100 qytete. Rreth 11.000 njerëz u arrestuan në protestat e paautorizuara, shumë prej të cilëve u dënuan ose me gjobë ose me burgim nga shtatë deri në 15 ditë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat