Papa Françesku viziton rajonin e zotëruar dikur nga IS-i

Bota

Papa Françesku viziton rajonin e zotëruar dikur nga IS-i

Më: 7 mars 2021 Në ora: 09:30
Papa Françesku

Papa Françesku ka arritur të dielën në veri të Irakut, ku pritet të lutet në gërmadhat e kishave të shkatërruara nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS), dhe të mbajë një meshë të ambient të hapur, në ditën e fundit të vizitës historike në këtë shtet.

Lideri i Kishës Katolike, 84-vjeçar, ka nisur vizitat të dielën pasi ka arritur në aeroportin e Irbilit, ku është përshëndetur nga fëmijët e veshur me fustane tradicionale, derisa njëri prej tyre ka qenë i veshur si vetë Papa.

Më vonë ai do të udhëtojë në Mosul – dikur qendër e IS-it për tre vjet, për t’u lutur për viktimat e luftës në Irak.

Ai do të kryejë lutjet në qytetin e rrethuar nga katër kisha të dëmtuara.

Papa më pas do të vizitojë kishën më të madhe në Irak, e cila është shkatërruar pjesërisht nga militantët e IS-it afër Qaraqosh-it, hapësirë në të cilën janë kthyer të krishterët prej humbjeve që ka pësuar IS-i.

Ai pritet të përfundojë ditën me një meshë në stadiumin në Irbil, në të cilin pritet të mblidhen rreth 10,000 persona.

Më 6 mars, Papa është takuar me një klerik të lartë shiit, Ayatollahun Ali al-Sistani, në qytetin e shenjtë Najaf, teksa Papa ka tentuar të dërgojë mesazh për bashkëjetesë paqësore, si dhe të fuqizojë pakicën e krishterë në Irak.

Vizita është transmetuar drejtpërdrejt në televizion, dhe banorët janë parë duke përshëndetur takimin e liderëve fetarë.

Pakica e krishterë në Irak dikur vlerësohej se përbëhej nga 1.4 milion banorë.

Mirëpo si pasojë e konflikeve, tani besohet se në Irak janë rreth 300,000 të krishterë, shumica prej të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Irakianët kanë mirëpritur vizitën dhe vëmendjen ndërkombëtare që i është dhënë shtetit të tyre, i cili tenton të rimëkëmbet nga dekada të luftës dhe trazirave.

Shtete tjera me shumicë myslimane, që ka vizituar Papa Françesku në të kaluarën janë: Turqia, Jordania, Azerbajxhani dhe territoret palestineze./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat