Kina, tema kryesore në bisedimet SHBA-Japoni

Bota

Kina, tema kryesore në bisedimet SHBA-Japoni

Më: 17 prill 2021 Në ora: 19:27
Foto nga takimi

Konkurrenca strategjike me Kinën ishte ndër çështjet kryesore të diskutuara gjatë takimit të premten mes Presidentit Joe Biden dhe Kryeministrit japonez Yoshihide Suga. Kjo është vizita e parë e një udhëheqësi të huaj në Shtëpinë e Bardhë që kur Presidenti Biden mori detyrën.

Një riafirmim i aleancës SHBA – Japoni për një rajon Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, nga Kryeministri Yoshihide Suga dhe Presidenti Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë të premten.

"U angazhuam të punojmë së bashku për t’u përballur me sfidat nga Kina dhe për çështje të tilla si Deti i Kinës Lindore, Deti i Kinës Jugore, si dhe Koreja e Veriut", tha Presidenti Biden.

Kryeministri Suga është udhëheqësi i parë i huaj që zhvillon vizitë në Shtëpinë e Bardhë, një dëshmi kjo e përparësisë së politikës së jashtme të administratës Biden.

"Aleanca jonë i ka shërbyer rolit të saj si themeli i paqes dhe stabilitetit për rajonin Indo-Paqësor dhe botën", tha ai.

Udhëheqësit u angazhuan për të ndihmuar përpjekjet e vaksinimit në rajon dhe u zotuan për "veprime agresive" mbi ndryshimin e klimës, përfshirë avancimin e teknologjive të energjisë së pastër. Kryeministri japonez do të marrë pjesë në një samit virtual të udhëheqësve mbi klimën, të organizuar nga Presidenti Biden javën e ardhshme.

"Dhe të ndihmojmë kombet në të gjithë rajonin Indo-Paqësor, veçanërisht vendet në zhvillim, për të zhvilluar energji të rinovueshme dhe për të eliminuar karbonin në ekonomitë e tyre", tha Presidenti Biden.

Aleanca e sigurisë prej dekadash SHBA-Japoni bazohet në një traktat të pas Luftës së Dytë Botërore, ku Shtetet e Bashkuara u zotuan të mbrojnë Japoninë, madje edhe nëpërmjet ombrellës së saj mbrojtëse nga sulmet bërthamore.

Në këmbim, Japonia mban mbi 20 baza ushtarake amerikane, duke forcuar kështu praninë ushtarake amerikane në rajon.

Takimi i nivelit të lartë u zhvillua ndërsa Kina ka shtuar presionin ushtarak ndaj Tajvanit, por as Presidenti Biden dhe as Kryeministri Suga nuk dhanë komente të detajuara mbi çështjen.

“Të dyja qeveritë e kuptojnë se ky është një moment delikat në marrëdhëniet me Kinën; se nuk duan të nxisin ose provokojnë veprimtari që nuk i dëshirojnë. Por, nga ana tjetër, ata duan të tregojnë vendosmërinë se aleanca SHBA-Japoni funksionon plotësisht në çdo rast, në çdo moment të kërcënimit për veten e tyre ose për rajonin", thotë Sheila A. Smith, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Presidenti Biden dhe Kryeministri Suga u përqëndruan tek bashkëpunimin ekonomik, përfshirë gjetjen e alternativave ndaj rrjetit 5G të firmës kineze Huawei, dhe mënyrat për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit që shihen si tepër të ndërvarura nga Pekini.

U diskutua gjithashtu për çështjet e të drejtave të njeriut në Kinë, përfshirë myslimanët ujgurë në Xinjiang.

Pekini ka shprehur "shqetësime serioze" lidhur me ato që i përshkroi si "lëvizje negative dhe bashkëpunim i fshehtë" SHBA-Japoni kundër Kinës.

Kryeministri Suga promovoi rolin e Tokios si organizatore e Lojërave Olimpike të vonuara nga pandemia, me më pak se 100 ditë deri në çeljen e tyre. Mbetet pikëpyetje nëse lojërat mund të zhvillohen në mënyrë të sigurt, duke pasur parasysh një ringjallje të koronavirusit në Japoni.

"Tokio na ka siguruar se do të mbajë kontakte të ngushta me Uashingtonin ndërsa zbatojnë planet e tyre, por nuk kam informacion më shumë se kaq", tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Para takimit me Presidentin Biden, Kryeministri Suga vazhdoi traditën e udhëheqësve japonezë duke bërë nderime në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. Një gjest i vullnetit të mirë mes dy vendeve që dikur ishin ndër armiqtë më të egër, tashmë miqtë më të mirë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat