Samiti i G7-ës do të fokusohet në kërcënimet në rritje

Bota

Samiti i G7-ës do të fokusohet në kërcënimet në rritje

Më: 4 maj 2021 Në ora: 08:27
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken (majtas) dhe Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab.

Ministrat e Jashtëm të ekonomive udhëheqëse në botë, do të diskutojnë të martën në Londër ballë për ballë, pas më shumë se dy vjetëve.

Takimi i ministrave në samitin e shtatë vendeve më të industrializuara - G7 – pritet të ketë në qendër të diskutimeve mënyra të reja sesi ky grup mund të mbrojë rregullat ndërkombëtare nga kërcënimet e jashtme.

Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab do të udhëheqë diskutimet për krizën në Mianmar, si dhe marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Ai ka thënë se beson që ekziston mundësia për të luftuar “sfidat e përbashkëta dhe kërcënimet në rritje”.

Grupi i G7-ës përbëhet nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Australia, India, Koreja Jugore dhe Afrika Jugore janë ftuar si mysafirë të samitit treditor, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar tenton të thellojë lidhjet me rajonin Indo-Paqësor./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat