Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”

Bota

Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 08:03
Ish-përkthyesit afganë për forcat amerikane dhe të NATO-s gjatë një demonstrate në qendër të Kabulit, më 30 prill.

Talibanët, me vite, janë zotuar se do të vrasin çdo afgan që ka punuar për forcat e SHBA-së dhe të NATO-s në Afganistan.

Militantët i cilësojnë ata si “tradhtarë”.

Tani që trupat e huaja pritet të largohen nga Afganistani deri në shtator, dhjetëra mijëra afganë që kanë punuar në role mbështetëse, janë mbërthyer nga frika dhe paniku.

Shqetësimet e tyre janë të bazuara mirë. Talibanët, gjatë viteve, kanë vrarë qindra afganë, të cilët kanë punuar për forcat e huaja ushtarake, dhe familjarë të tyre.

Frika është rritur nga intensifikimi i dhunës dhe fitoret e talibanëve në fushëbetejë, muajve të fundit.

Që nga fillimi i tërheqjes së forcave të huaja më 1 maj, grupi militant ka marrë kontrollin e dhjetëra qarqeve, bazave ushtarake dhe qyteteve, duke nxitur frikën se mund ta rrëzojë edhe Qeverinë afgane, të mbështetur nga Perëndimi.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera që janë duke i tërhequr trupat nga Afganistani, kanë krijuar programe të posaçme të imigracionit, për t’i ndihmuar punëtorët e rrezikuar afganë, që të largohen nga Afganistani.

Por, shumë afganë që kanë aplikuar, ankohen se janë lënë në vendin e askujt, pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje - ndonjëherë edhe me vite - nga autoritetet e huaja të imigracionit.

Grupet e avokatisë thonë se programet po zhvillohen shumë ngadalë dhe se mund të mos mbulojnë të gjithë ish-punonjësit afganë, që mund të jenë në rrezik.

Image
Kontraktorët afganë duke protestuar në Herat, më 9 qershor.

 

Rreth 300,000 civilë afganë kanë punuar për forcat ndërkombëtare që nga pushtimi i Afganistanit, në vitin 2001. Ata kanë punuar si kuzhinierë, pastrues, mekanikë, përkthyes e roje sigurie.

“Rrezik i madh”

“Jemi në rrezik të madh”, thotë Abdul Wakil, i cili ka punuar si roje sigurie nga viti 2004 deri më 2008 në Bagram - bazën më të madhe të ushtrisë amerikane në Afganistan.

“Jo vetëm ne, por edhe familjet tona. Talibanët do të na vrasin”, thotë ai.

“Pas largimit të trupave të huaja, talibanët mund të marrin përsëri kontrollin e vendit. Në atë rast, të gjithë do të ishin në rrezik, por sidomos ne”, shprehet Wakil.

Rreth 300 afganë që kanë punuar për ushtrinë amerikane ose familjarë të tyre janë vrarë që nga viti 2016. Këto janë të dhëna të organizatës joqeveritare amerikane “No One Left Behind”, e cila punon me përkthyesit afganë, për t'i ndihmuar ata që të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara.

Grupi vlerëson se, mesatarisht, dy përkthyes në muaj janë vrarë këtë vit. Numri i të vdekurve është rritur në pesë gjatë muajit maj.

Përkthyesit afganë që punojnë për forcat e huaja, janë veçanërisht të cenueshëm ndaj sulmeve militante. Ata shpesh kërkohen nga militantët, të cilët i cilësojnë si “spiunë”, që veprojnë si sy dhe veshë për “pushtuesit” e huaj.

Më 7 qershor, talibanët kanë lëshuar një deklaratë, duke i siguruar afganët që kanë punuar me trupat ndërkombëtare në të kaluarën, se nuk do të jenë në shënjestër nëse “shprehin pendim për veprimet e tyre të kaluara dhe nuk përfshihen në aktivitete të tilla në të ardhmen, të cilat përbëjnë tradhti ndaj Islamit dhe vendit”.

Ndaj këtyre garancive, megjithatë, ka mosbesim të madh.

“Talibanët po forcohen çdo ditë”, thotë Abdul Karim, një përkthyes 28-vjeçar, i cili ka punuar për ushtrinë amerikane që nga viti 2015. “Kjo do të thotë se jeta jonë po rrezikohet çdo ditë e më shumë”, shton ai.

Grupi militant, prej kohësh, i ka vënë në shënjestër civilët, që i akuzon se kanë punuar për Qeverinë afgane ose për të huajt.

Në muajin janar, talibanët kanë vrarë një afgan, që ka punuar për ushtrinë amerikane për rreth 12 vjet dhe ka qenë në pritje të një vize për t'u zhvendosur në Shtetet e Bashkuara.

Ish-përkthyes të tjerë afganë thonë se ata kanë marrë kërcënime me vdekje nga talibanët.

Të zhytur në burokraci

Grupet e avokatisë dhe vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë kërkuar nga vendet perëndimore që t’i përshpejtojnë programet për zhvendosjen e ish-punonjësve afganë, që janë gjithnjë e më të rrezikuar nga talibanët.

Rreth 18,000 afganë janë ende duke pritur përgjigjen për aplikimet e tyre për Viza të Emigracionit Special në SHBA. Programi i njohur si SIV është krijuar në vitin 2009 dhe është modeluar sipas një skeme të ngjashme për irakianët.

Për të siguruar vizën, afganët duhet të dëshmojnë se janë vazhdimisht të kërcënuar dhe se kanë punuar së paku një vit për Qeverinë amerikane.

Pentagoni ka thënë se po zhvillon mundësi për t’i evakuuar afganët që konsiderohen të rrezikuar nga talibanët, për shkak të punës së tyre me trupat amerikane. Por, Shtëpia e Bardhë nuk ka autorizuar ende ndonjë plan të përshpejtuar.

Ligjvënësit amerikanë kanë bërë thirrje që mijëra afganë të evakuohen, përpara se trupat ndërkombëtare të tërhiqen, nga frika se mund të “masakrohen nga talibanët”.

Ligjvënësit thonë se përpunimi i vizave mund të zgjasë më shumë se dy vjet.

Image
Forcat amerikane dhe britanike tërhiqen nga baza e tyre në provincën Helmand.

 

Britania ka filluar përshpejtimin e zhvendosjes së stafit afgan më 1 prill.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë më 31 maj se “ka qenë një gjë e drejtë përshpejtimi i zhvendosjes së atyre që mund të jenë në rrezik të hakmarrjes”. Britania i ka “një borxh mirënjohjeje” stafit lokal të punësuar nga forcat britanike, ka thënë ai.

Më shumë se 1,360 ish-punonjës afganë dhe familjet e tyre janë zhvendosur tashmë në Britani. Por, mijëra aplikacione nuk janë përpunuar ende.

Qeveria i ka zbutur kërkesat për aplikuesit.

Por, Aleanca Sulha, një grup që bën fushatë për përkthyesit afganë që punojnë për ushtrinë e Britanisë, ka thënë se politika e Londrës për t’i refuzuar aplikuesit që janë pushuar nga puna - shumë prej tyre për shkelje të vogla - është shqetësuese.

Vendet e tjera që kanë pasur trupa në luftën e Afganistanit, të tilla si Australia dhe Gjermania, nuk e kanë përshpejtuar zhvendosjen.

“Vendet që tani tërhiqen nga Afganistani, kanë qenë shumë të ngadalshme në zhvillimin e planeve të evakuimit dhe zhvendosjes për ish-punonjësit e tyre afganë”, thotë Patricia Gossman, drejtore për Azinë në organizatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut Human Rights Watch.

“Ata duhet ta dinë se rrugët normale do të jenë shumë të ngadalta dhe se nevojiten afate të shpejta për afganët dhe familjet e tyre, që mund të ndiqen për shkak të punës së tyre me forcat e koalicionit”, thotë Gossman.

Të tradhtuar

Afganët që kanë punuar për forcat e huaja, zakonisht e fshehin identitetin e tyre dhe mbajnë një profil të ulët. Por, shumë prej tyre, së voni, e kanë shprehur publikisht zhgënjimin.

Qindra kanë organizuar tubime në Kabul, duke kërkuar nga vendet perëndimore, për të cilat kanë punuar, që t'i zhvendosin jashtë Afganistanit.

Shumë prej tyre janë të zemëruar dhe ndihen të tradhtuar, pasi kanë rrezikuar jetën e tyre për t’i ndihmuar aleatët e huaj. Ata po ashtu ankohen se procesi i marrjes së vizave është tepër i ndërlikuar.

Image
Një ushtar amerikan dhe një ushtar afgan shtrëngojnë duart gjatë një ceremonie të dorëzimit të detyrave në provincën Helmand, më 2 maj.

 

“Ne i ndihmuam amerikanët dhe tani duam që ata të na ndihmojnë”, thotë Baryalai Rahimi, përkthyes afgan, i cili ka punuar me forcat speciale të SHBA-së.

Mohammad Wasel, një 32-vjeçar nga provinca veriore Kapisa, thotë se ka medalje lavdërimi nga një komandant amerikan, për të cilin ka punuar. Por, ai thotë se nuk e di se përse kërkesa e tij është refuzuar.

“Ne i kemi ndihmuar [forcat e huaja], kemi rrezikuar jetën tonë dhe tani ato po largohen”, thotë Wasel, i cili ka punuar si përkthyes për forcat amerikane nga viti 2009 deri më 2012. “Është radha e tyre që të na ndihmojnë”, thotë ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat